Edhe pse hyrjet e të huajve në Shqipëri janë rritur lehtë në gjysmën e parë të vitit, bregdeti nuk po e ndien këtë valë. Operatorët turistikë dhe bizneset hoteliere thonë se profili i turistit ka ndryshuar: nuk kemi më pushues që shpenzojnë ditë të tëra në plazh, por vizitorë që kërkojnë të eksplorojnë shumë dhe të shpenzojnë pak.
Nga Saranda në Vlorë ulje agresive çmimesh
Panorama e javës së parë të korrikut ishte e qartë: plazhet ishin plot vetëm në fundjavë. Kjo detyroi hotelet të aplikonin ulje nga 10% deri në 25% dhe të nisnin fushata të sponsorizuara në rrjetet sociale. Në Ksamil, Sarandë dhe Himarë çmimet ranë ndjeshëm, ndërsa Borshi dhe Qeparoi shënuan rritje për shkak të kërkesës.
Në disa zona, si Durrësi dhe Golemi, raporti çmim/shërbim mbetet më i miri në vend. Ndërkohë Velipoja dhe Shëngjini vijojnë të mbajnë gjallë “turizmin patriotik” nga Kosova, duke ruajtur çmimet ekonomike për pjesën më të madhe të strukturave.
Pse po bien çmimet?
Operatorët rendisin dy arsye kryesore:
-
Hyrja e strukturave të reja hoteliere dhe apartamenteve me qira afatshkurtër, që ka rritur ndjeshëmofertën.
-
Profili i ri i turistit të huaj, që nuk kërkon shezlonin, por udhëtimet e shpejta dhe shpenzime minimale.
Një tjetër faktor është mungesa e shtresës së mesme nga Kosova dhe Shqipëria që dikur përbënte bazën e konsumatorëve në Jug. Liberalizimi i vizave për kosovarët dhe zhvlerësimi i euros përballë lekut kanë shtyrë shumë prej tyre të zgjedhin destinacione të tjera.
Zona pas zone situata aktuale
Ksamil & Sarandë: Ulje 10-25% në korrik. Çmimi mesatar më i ulët për një dhomë dyshe në Sarandë ka zbritur në 50 euro (-17% nga viti i kaluar).
- Vlorë & Himarë: Vlorë me ulje deri në 20% në segmentin bazë dhe përgjysmim të segmentit të lartë. Himara me ulje deri në 25% në mesataren e poshtm. 2-Borsh & Qeparo: Rritje çmimesh për shkak të kërkesës (+8% Borshi, deri në +25% Qeparo).
- Durrës & Golem: Çmimet ekonomike, nga 35 euro nata në strukturat bazë. Turizmi i organizuar nga Polonia, Çekia e Spanja mban një pjesë të madhe të fluksit.
- Velipojë & Shëngjin: Çmime të ulëta për pushuesit vendas, por rritje në segmentin “luksoz” të strukturave të reja.
Mesazhi i sezonit 2025
Sezoni i këtij viti ka thyer “recetën” e tre verave të fundit. Hotelet në Jug, të mësuara me fluks maksimal, po përballen me dhoma bosh dhe konkurrencë të ashpër nga apartamentet me qira. Në Veri, turizmi mbetet i orientuar tek pushuesit vendas dhe kosovarë, ndërsa të huajt vazhdojnë të preferojnë natyrën, qytetet dhe aventurën, jo shezlongun.






