Çmenduria me çmimet

Interesi i jashtëzakonshëm për finalen e play-off-it të Kupës së Botës mes Bosnje dhe Hercegovinë dhe Itali ka arritur nivele të paprecedenta, duke krijuar një situatë të rrallë në qytetin e Zenica.

Ndeshja vendimtare, që do të luhet më 31 mars në orën 20:45 në stadiumin Bilino Polje, ka “pushtuar” totalisht vëmendjen e tifozëve. Impianti me kapacitet rreth 15.600 vendesh është mbushur në kohë rekord, ndërsa biletat janë zhdukur brenda pak minutash nga dalja në shitje.

Por ajo që e bën këtë përballje edhe më të veçantë është fenomeni që po ndodh jashtë stadiumit. Me mungesën e biletave, banorët përreth kanë gjetur një mënyrë kreative për të përfituar nga ethet e ndeshjes: po japin me qira ballkonet e tyre, duke i kthyer në tribuna të improvizuara.

Sipas raportimeve, një vend në këto “tribuna shtëpiake” po shitet deri në 500 euro, një çmim i lartë që pasqyron qartë etjen e tifozëve për të përjetuar nga afër një sfidë kaq të rëndësishme.

Atmosfera në Zenica pritet të jetë elektrizuese, ndërsa kjo ndeshje nuk është thjesht një përballje sportive, por një moment që ka mobilizuar një qytet të tërë.