Vendosja e emrit të një fëmije të porsalindur është bërë shkak për një sherr masiv me armë, shkopinj e gurë mes familjes së nuses dhe dhëndrit. Sipas agjencisë së lajmeve “IHA”, sherri mes familjeve në qytetin Osmaniye të Turqisë përfundoi me një të vdekur dhe shtatë të plagosur.

Agjensia thotë se mes dy familjeve kishte mosëmarrëveshje, teksa emri i fëmijës i ka ndezur ato edhe më shumë.
E ëma e fëmijës, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, shkoi në shtëpinë e të atit pas diskutimeve me familjen e bashkëshortit për emrin e të porsalindurit.

Debatet vazhduan edhe atje duke u kthyer në një sherr masiv mes dy familjeve. Daja i fëmijës së porsalindur 23-vjeçari Musa Çeçan, i cili ishte kthyer me leje në shtëpi nga ushtria, u vra me armë zjarri, ndërsa 7 persona të tjerë morën plagë me gurë dhe shkopinj.