“Sulm i drejtpërdrejtë dhe tentativë për të mbytur fjalën e lirë, me heshtje me frikë”

Një reagim i fortë ka ardhur nga Shoqata “Media dhe Drejtësi”, pas kërcënimit të bërë ndaj pronarit dhe drejtuesit të “Publik Media”, Naim Noka. Përmes një deklarate publike të shpërndarë nga avokati Arben Llangozi, ky akt cilësohet si i rëndë dhe i papranueshëm, duke e konsideruar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe fjalës së lirë në vend.

Sipas deklaratës, çdo kërcënim ndaj një gazetari për shkak të detyrës dhe publikimeve të tij përbën një goditje ndaj rendit demokratik dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Shoqata thekson se rasti i Naim Nokës lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë e tij mediatike dhe publikimet në interes të publikut.

Në reagim nënvizohet se akte të tilla synojnë të krijojnë klimë frike dhe të imponojnë heshtje ndaj gazetarëve, duke dërguar një mesazh kërcënues për të gjithë mediat dhe redaksitë që raportojnë në mënyrë të pavarur.

Shoqata “Media dhe Drejtësi” e konsideron këtë ngjarje një alarm serioz për klimën e gazetarisë në vend, duke paralajmëruar se nuk mund të ketë media të lirë në kushte presioni dhe intimidimi. Po ashtu, shprehet solidaritet i plotë me Naim Nokën dhe me çdo gazetar që përballet me kërcënime për shkak të profesionit.

Në fund, i bëhet thirrje Policia e Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera që të reagojnë me prioritet maksimal për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke theksuar se çdo neglizhencë do të dërgonte një mesazh të rrezikshëm për lirinë e medias.