“Drejtorët e Bashkisë së Tiranës shohin rehatinë e pushtetit”

Deputeti Erion Braçe ka vijuar denoncimet publike për gjendjen e infrastrukturës në Tiranë, duke ngritur shqetësime konkrete për rrugën kryesore në zonën e Selitës.

Përmes një video-mesazhi, ai ka publikuar pamje nga segmenti rrugor, ku duken qartë gropa të shumta dhe dëmtime të theksuara të asfaltit. Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, situata mbetet e pandryshuar prej muajsh.

Në reagimin e tij, Braçe i është drejtuar drejtpërdrejt një prej drejtuesve vendorë, duke theksuar se nuk do të vijojë më komunikimin përmes telefonit, pasi problematika nuk po gjen zgjidhje.

“U bënë muaj të tërë që është kjo gjendje, kaq di unë”, shprehet ai, duke nënvizuar mungesën e reagimit institucional.

Në një postim në rrjetet sociale, deputeti përshkruan përkeqësimin progresiv të rrugës, ku sipas tij një gropë është pasuar nga të tjera, duke e bërë segmentin gjithnjë e më problematik për qarkullimin. Ai thekson se drejtuesit e automjeteve detyrohen të ndalojnë për të shmangur dëmtimet, çka sjell edhe trafik të shtuar, sidomos në oraret e pikut.

Braçe shprehet gjithashtu i zhgënjyer nga mungesa e reagimit, duke sugjeruar se situata po neglizhohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa banorët përballen çdo ditë me pasojat.

Statusi në Facebook;

Ne #territor, si #deputet i 5-ses rruga qendrore-kryesore e selites ka mbaruar! Nuk mbaj mend se kur u be GROPA E PARE; por ate e ka zene GROPA E DYTE DHE GROPA E TRETE! Shihni se si ndalojne shoferet te ruajne makinat e si krijohet trafiku ne oraret e pikut! Nganjehere e humb dhe deshiren te flasesh se-me falni per shprehjen, POR NUK I PLAS KUJT! Me gjase gropa te tjera do mbulojne gjithe rrugen dhe drejtoret e bashkise do shohin rehatin e pushtetit bera nga vota e njerezve ne SELITE!!