Shqipëria renditet aktualisht si vendi me çmimin më të lartë të naftës në rajon, i pesti në Evropë dhe i shtati në rang botëror, duke lënë pas edhe shtete me të ardhura shumë më të larta për frymë.

Në pikat e karburanteve në vend, një litër naftë tregtohet mesatarisht rreth 170 lekë, që me kursin aktual të këmbimit përkthehet në rreth 2.09 dollarë. Ky nivel e vendos Shqipërinë në krye të listës në Ballkanin Perëndimor, duke krijuar një hendek të ndjeshëm me vendet fqinje.

Në vendin e dytë në rajon renditet Serbia, ku një litër naftë kushton rreth 1.92 dollarë. Ndërkohë, në Bosnje-Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, çmimi i lëndës djegëse është gati dy herë më i ulët se në Shqipëri.

“Ka shumë diferencë krahasuar me Kosovën, Maqedoninë apo Malin e Zi. Ne paguajmë shumë më shtrenjtë”, shprehen drejtues automjetesh, të cilët e lidhin rritjen e vazhdueshme të çmimeve me barrën e rëndë mbi buxhetin familjar.

Edhe në nivel evropian, Shqipëria pozicionohet mes vendeve me naftën më të shtrenjtë, duke u renditur pas Zvicrës, Lihtenshtejnit, Danimarkës dhe Islandës. Ky klasifikim e lë pas shtete si Irlanda apo Monako, vende me standard jetese dhe paga dukshëm më të larta. Në rang global, rekordin për çmimin më të lartë e mban Hong-Kongu, ku një litër naftë shitet për mbi 3.56 dollarë.

“Çmimet janë bërë të papërballueshme. Janë shumë të larta në raport me rrogat që marrim”, shprehen qytetarët, duke theksuar se rritja e kostove të karburantit po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

Çmimi final i çdo litri naftë në Shqipëri përbëhet nga kostoja e blerjes në bursat ndërkombëtare, si dhe nga taksat dhe tarifat e vendosura nga qeveria. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se në bursë çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë në 689 dollarë për ton, nga 750 dollarë që ishte një muaj më parë. Paralelisht, dollari amerikan vijon të zhvlerësohet, faktorë që teorikisht do të duhej të sillnin ulje të çmimeve në tregun vendas.

“I bëjmë thirrje qeverisë dhe kryeministrit të rihapen rafineritë dhe të merren masa konkrete për uljen e çmimeve. Janë ndër nivelet më të larta të viteve të fundit”, shprehen drejtues automjetesh.

Ndërkohë, importet e karburanteve kanë shënuar një rekord historik. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë periudhës janar–nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria ka importuar mbi 671 mijë tonë karburant, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.