Nga Naim Noka
Lindjet në Shqipëri kanë rënë me 74% që nga viti 1990. Kjo nuk është thjesht një shifër demografike. Është një kambanë alarmi për të ardhmen e këtij vendi.
Në vitet ’90, Shqipëria ishte një nga vendet me normat më të larta të lindshmërisë në Europë. Sot, jemi ndër më të ulëtat. Fshatrat boshatisen, qytetet plaken, shkollat mbyllen për mungesë nxënësish. Djepet mbeten bosh, ndërsa aeroporti i Rinasit gjallërohet, sepse të rinjtë nuk shohin të ardhme më këtu. Sepse pagat nuk mbulojnë jetesën. Sepse çmimet e banesave janë të paarritshme. Edhe çmimet e qerave po ashtu. Sepse pasiguria ekonomike dhe mungesa e shpresës kanë zëvendësuar ëndrrën për familje shqiptare.
Një vend që nuk lind më, është një vend që plaket me shpejtësi. Një ekonomi pa fuqi punëtore të re është një ekonomi që ngadalësohet. Një sistem pensionesh me gjithnjë e më pak kontribues është një sistem në rrezik kolapsi.
Por përballë këtij realiteti, politika na përplas, Ballukun e Ramës, Zegjinenë e Ballukut, dhe Sarën e Suelit që sillet sikur po flet për motin. Përballë kanë doktorin e përjetshëm të opozitës që pret rezultate të ndryshme kur bën të njëjtat gjëra.
Debatet publike mbushen nga Buzhalër e Batonër me Albatrosë, me polemika banale e me retorikë boshe, me luftëra partish. Ndërkohë, kriza demografike kalon në heshtje, si një problem që “do ta zgjidhë koha”.
Koha nuk zgjidh asgjë. Koha vetëm po shuan kombin.
Shqipëria sot nuk ka nevojë për llogje paranojake nga Pashai i Zegjinesë, por për politika serioze familjare: mbështetje reale për çiftet e reja, politika strehimi të përballueshme, siguri në punësim, sistem arsimor dhe shëndetësor që frymëzon besim.
Shoqëria shqiptare ka humbur dëshirën për të sjellë në jetë fëmijë, ka humbur diçka më sublime se statistikat.
Ka humbur besimin tek e ardhmja.
Dhe një komb që nuk beson tek e ardhmja, rrezikon të mbetet vetëm një kujtim në fotografitë e vjetra – me djepin bosh dhe syte nga aeroporti i Nënë Terezës!






