Përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe organizatave ndërkombëtare vijojnë, këtë herë në fokus të debatit është liria e medias në Shqipëri.
Organizata Reporterët pa Kufij ka publikuar së fundmi indeksin e vitit 2026, ku Shqipëria renditet në vendin e 83-të, duke shënuar një rënie në krahasim me një vit më parë. Sipas raportit, situata e medias në vend karakterizohet nga presione politike, mungesë transparence dhe kërcënime ndaj gazetarëve.
Në reagim ndaj këtij vlerësimi, Rama ka tentuar të relativizojë gjetjet, duke sjellë në vëmendje një raport të SIGMA-OECD, i cili vlerëson pozitivisht performancën e Agjencisë për Media dhe Informim në raport me komunikimin publik.
Por përgjigjja e Reporterët pa Kufij ka qenë e drejtpërdrejtë, duke theksuar se misioni i tyre është matja e lirisë së medias dhe jo vlerësimi i komunikimit të qeverisë. Ata nënvizojnë se renditja e Shqipërisë reflekton probleme reale në terren, përfshirë ndërhyrje politike dhe presione ndaj gazetarëve.
Debati u ashpërsua më tej me reagimin e kryeministrit, i cili vuri në pikëpyetje metodologjinë e raportit dhe sugjeroi që organizata të marrë në konsideratë edhe vlerësime të tjera ndërkombëtare për të pasur një panoramë më të plotë.
Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria mbetet pas, duke u renditur dukshëm më poshtë se vende si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, çka thellon shqetësimet për klimën mediatike në vend.
Raporti i Reporterëve pa Kufij evidenton gjithashtu probleme strukturore, si përqendrimi i mediave në pak duar dhe lidhjet e pronarëve të tyre me politikën, faktorë që sipas organizatës ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë editoriale dhe të drejtën e publikut për informim të paanshëm.







