Denoncimi për helmimin e 56 studentëve: Gara fiktive, 3 operatorët e tjerë nuk paraqitën ofertë
Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas rastit të helmimit të 56 studentëve të Akademia e Sigurisë, duke ngritur akuza të drejtpërdrejta për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për antikorrupsionin, Genta Vangjeli, u shpreh se studentët dyshohet se u helmuan pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar, por sipas saj, problemi real shkon përtej këtij incidenti.
Sipas opozitës, kompania “Sori-AL”, me administratore Alma Tafani, e shpallur në kërkim, ka përfituar një tender me vlerë rreth 2.8 milionë euro nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, në kushte që ngrejnë dyshime serioze për mungesë gare reale.
PD pretendon se procedura ka qenë fiktive, pasi nga tre operatorë pjesëmarrës, vetëm një ka dorëzuar ofertë të plotë, ndërsa të tjerët janë skualifikuar për mungesë dokumentacioni.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasi dhjetëra studentë përfunduan në urgjencën e QSUT me simptoma helmimi, menjëherë pas konsumimit të drekës në ambientet e akademisë.
Në deklaratë theksohet se raste të tilla nuk janë të izoluara dhe se, sipas opozitës, ato lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si menaxhohen fondet publike. PD vë në dukje se kostoja e shërbimit të gatimit është rritur ndjeshëm ndër vite, duke kaluar nga rreth 1.7 milionë euro për tre vite në vitin 2019, në 2.8 milionë euro në tenderin e fundit.
Opozita ngre pikëpyetje për destinacionin e këtyre fondeve shtesë dhe kërkon hetim të plotë dhe transparent për rastin, si dhe përgjegjësi penale për çdo zyrtar të përfshirë.
Gjithashtu, Partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar në orën 19:00 përpara Kryeministrisë, duke e cilësuar situatën si një tregues të një sistemi të korruptuar që, sipas saj, rrezikon edhe jetën e qytetarëve.
Deklarata:
Këtë të mërkurë, rreth 56 studentë të Akademisë së Policisë përfunduan në urgjencën e QSUT me simptoma helmimi, pasi dyshohet se konsumuan ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Komplikacionet nisën pas konsumimit të vaktit të drekës, duke vënë në rrezik shëndetin e të rinjve.
Nuk është hera e parë që helmime masive ndodhin në institucione publike, ku viktima bëhen studentë, fëmijë dhe qytetarë të pafajshëm. Sa herë duhet të përsëriten këto skandale që shteti të mbajë përgjegjësi?
Shkaku i vërtetë i këtij helmimi nuk është vetëm ushqimi i kontaminuar. Shkaku është vetë shteti. Janë ministrat, drejtorët dhe zyrtarët që kanë kthyer tenderat publikë në mekanizëm grabitjeje dhe pasurimi personal.
Nga viti 2019 e në vijim, kontratat për shërbimin e gatimit nuk lidhen më me afat njëvjeçar, por trevjeçar, ndërkohë që kushtet bazë pothuajse nuk ndryshojnë.
Ajo që ndryshon është vetëm vlera, e cila vetëm rritet dhe sigurisht paguhet nga taksat e shqiptarëve.
Në vitin 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme prokuroi shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Akademinë e Sigurisë me rreth 47 mijë euro në muaj, ose 1.7 milion euro për tre vite.
Ndërsa në tenderin e fundit të vitit 2025, të zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, përveç një garë fiktive, ku nga tre operatorë pjesëmarrës, vetëm fituesi paraqiti ofertë reale dhe dokumentacion, ndërsa dy të tjerët nuk dorëzuan asgjë dhe u skualifikuan, për të njëjtin objekt u prokuruan pothuajse 80 mijë euro në muaj, ose 2.8 milion euro për tre vite.
Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: ku shkuan milionat shtesë të shqiptarëve? Kush përfitoi nga fryrja me gati 70% e këtyre kontratave?
A po përdoren këto tendera si skema korruptive për të mbushur xhepat e ministrave dhe drejtorëve të Edi Ramës, ndërkohë që studentëve u jepet ushqim që i çon në spital?
Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe transparent për këtë skandal, si dhe mbajtjen e përgjegjësisë penale dhe administrative për çdo zyrtar të përfshirë në këto prokurime abuzive që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Sot nuk kemi thjesht një helmim masiv. Sot kemi një shtet të kalbur nga korrupsioni, ku fondet publike vidhen, ndërsa qytetarëve u kthehet pasiguri, varfëri dhe rrezik për jetën.
Ndaj, ftojmë të gjithë qytetarët sot në orën 19:00 përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër këtij regjimi që po vjedh, po shtyp, po varfëron dhe tashmë po rrezikon edhe jetën e shqiptarëve.








