Denoncimi i trajtuar në emisionin “Stop” këtë të martë, më 19 maj, lidhet me një problematikë në Ksamil, ku janë ngritur dyshime se familja Memko, ku bën pjesë edhe prokurorja e Sarandës Hava Memko, ka përfituar në mënyrë të paligjshme 21 hektarë tokë pyll dhe kullotë pranë bregdetit.

Kjo është një nga çështjet më të nxehta në Shqipëri, jo në jug të Shqipërisë sepse kullota Ksamil, pylli Ksamil është një sipërfaqe shumë e madhe dhe e lakmuar nga vendas dhe të huaj. Ato 21 hektarë të kthyer, sot kërkohen në treg 80 milionë euro. Mua më ka ardhur nga arkiva e shtetit me vulë blu, dokumneti kryesor i kohës së Mbretit Zog 1926, ku ka të gjithë pronarët një për një…familja Memko nuk përfshihet, nuk është në këtë bashkëpronësi…. Kemi vazhdimësi 1926-1945, ku kjo familje nuk është pjesë.”

Sipas denoncuesit, prona është përfituar përmes një vendimi të vitit 2001 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dega rajonale Vlorë.

Mbi këtë vendim rëndojnë dyshime për falsifikim të dokumenteve të trashëgimisë, të vulës institucionale dhe të firmave të anëtarëve të komisionit.

Një akt-ekspertim i realizuar nga eksperti i pavarur Vladimir Konomi ka konstatuar se firmat e anëtarëve të komisionit janë hedhur nga i njëjti person, duke ngritur dyshime serioze mbi vlefshmërinë ligjore të vendimit.

Ndërkohë, sipas formularëve të vetëdeklarimit të pasurisë, rezulton se prokurorja Hava Memko nuk e ka deklaruar këtë pronë, ndonëse ligji e detyron një gjë të tillë.

Ish-prokurorët Ervin Karanxha dhe Gentjan Ternova shpjegojnë se mosdeklarimi i pasurisë përbën shkelje ligjore. Për këtë çështje ka reaguar edhe Këshilli i Ministrave, i cili ka hapur proces gjyqësor në Gjykatën e Sarandës, duke kërkuar pavlefshmërinë absolute të vendimit të vitit 2001, përmes të cilit janë përfituar 21 hektarët në Ksamil.

Biseda e “Stop” me avokatin Taulant Erindi:

Gazetari: Si je? Taulanti? Genci Angjellari nga TV Klan, emisioni”Stop”! Doja t’ju pyesja, në lidhje me një rast, që ju po përfaqësoni shtetin në një proces, në lidhje me familjen Memko dhe një sërë familjesh të tjera, që kanë përfituar një pronë në Ksamil dhe Këshilli i Ministrave e ka hedhur në gjyq këtë. Ju jeni avokati, që po e ndiqni këtë gjyq në Sarandë?

Taulant Erindi, Avokatura e Shtetit: Po, është e vërtetë.

Gazetari: A mund të na thuash disa detaje, në cfarë faze është procesi? Më intereson familja Memko…

Taulant Erindi, Avokatura e Shtetit: Në fakt, Avokatura e Shtetit, përfaqëson një proces të tillë kundër trashëgimtarëve Memko, Agim Memko, ku kërkon shfuqëzimin e një vendimi të komisionit, të cilin ne vlerësojmë, që është marrë në kundështim me ligjin. Aktualisht jemi në seancë gjyqsore, në pritje të aktit të ekspertimit, i cili do të përcaktojë n.q.s shteti do të legjitimohet, për të ngritur këtë padi, ose jo.

Gazetari: Po pse dyshon shteti, në lidhje me këtë Vendim të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, të vitit 2001, mos gaboj?

Taulant Erindi, Avokatura e Shtetit: Është i vitit 2001 është dhe një i mëvonshëm. Janë dy vendime komisioni…

Gazetari: Për falsitet, apo cfarë kanë këto vendime, n.q.s mund të na japësh detaje?

Taulant Erindi, Avokatura e Shtetit: Për pavlershmëri absolute është objekti dhe detyrimin pronar të Shtetit Shqiptar, sipas dokumentacionit arkivor, që disponon Avokatura e Shtetit, vlerësojmë, që trashëgimtarët Memko, nuk janë pronarë në zonën e Ksamilit…

Gazetari: Janë 21 hektarë, pra goxha pronë?

Taulant Erindi, Avokatura e Shtetit: Po, janë rreth 21 hektarë…/STOP