Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka rrëzuar dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, duke e konsideruar atë pa efekt juridik.
Vendimi erdhi pas pranimit të kërkesave të paraqitura nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë, si dhe nga Arbërie Nagavci në emër të 30 deputetëve.
Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se dekreti i datës 6 mars 2026 nuk prodhon asnjë efekt juridik, ndërsa Kuvendit i jepet një afat shtesë prej 34 ditësh për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit, nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri, atëherë Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, në përputhje me Kushtetutën.
Kriza institucionale nisi pas dështimit të seancës së 5 marsit për zgjedhjen e presidentit, ku mazhoranca propozoi dy kandidatë: Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha. Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, pasi u bojkotua nga partitë opozitare, përfshirë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Pas kësaj, presidentja Osmani dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se afatet kushtetuese kishin përfunduar, pasi mandati i saj përfundon më 4 prill dhe Kuvendi kishte dështuar të zgjedhë pasuesin.
Nga ana tjetër, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e kundërshtoi dekretin, duke argumentuar se procedurat për zgjedhjen e presidentit kishin nisur më 5 mars dhe se Kushtetuta parashikon një afat prej 60 ditësh për përfundimin e procesit.
Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi njëzëri pranimin e kërkesave dhe shpalli të pavlefshëm dekretin presidencial, duke rikthyer procesin në Kuvend dhe duke vendosur një afat të qartë për zgjidhjen e situatës.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet politike në vend, duke shmangur për momentin zgjedhjet e parakohshme dhe duke i dhënë Kuvendit një mundësi të fundit për të zgjedhur Presidentin e ri.






