Sllovenia tërheq specat e kuq për shkak të pesticideve

SLLOVENI – Autoritetet sllovene kanë urdhëruar tërheqjen nga tregu të specave të kuq me origjinë nga Shqipëria, pas zbulimit të niveleve të larta të pesticideve të rrezikshme. Kompania Geaprodukt njoftoi se në produkt u gjetën mbetje të tepërta të acetamiprid, format dhe flonicamid, duke e bërë atë të papërshtatshëm për konsum.

Specat ishin importuar në Slloveni nga data 24 gusht deri më 4 shtator, të paketuar fillimisht në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike. Kompania u ka kërkuar konsumatorëve që i kanë blerë produktet e kontaminuara t’i kthejnë ato në vendin e blerjes, ose, nëse kjo nuk është e mundur, t’i hedhin në mbeturinat biologjike. Gjithashtu, këshillohet që personat që kanë qenë në kontakt me produktin të dezinfektojnë duart.

Vetëm në pak ditë janë regjistruar disa raste alarmante me eksportet shqiptare. Bosnjë-Hercegovina bllokoi së fundmi pjeshkët shqiptare për shkak të nivelit të lartë të klorpirifos, një pesticid i ndaluar në BE. Ndërkohë, Kroacia ndaloi hyrjen e 5,562 kilogramëve pjeshkë shqiptare, ku u zbulua përmbajtje e rritur e nikelit.

Pas marrjes së njoftimit nga Sllovenia, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shqipëri ka nisur hetimet dhe ka sqaruar se specat e ndotur nuk ishin shpërndarë në tregun vendas, por ishin dërguar vetëm për eksport.

Ky është rasti i tretë brenda një jave që prodhimet bujqësore shqiptare bllokohen në vendet e BE-së, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe standardet e kontrollit në vend.