Ishte pjesë e flotiljes që po lundronte drejt Gazës për të dërguar ndihma humanitare
Në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të konventave që garantojnë lirinë e lundrimit në ujërat ndërkombëtare, forcat izraelite kanë ndaluar sot Baki Goxhajn. Ai ishte pjesë e flotiljes humanitare që po lundronte drejt Gazës për të dërguar ndihma për popullsinë civile të rrethuar dhe të uritur.
Prej gati tre vitesh, Gaza po përjeton jo vetëm bombardime dhe sulme shkatërrimtare nga ushtria izraelite, por edhe një ndëshkim kolektiv përmes urisë dhe bllokadës çnjerëzore. Ndërkohë, një pjesë e madhe e botës, përfshirë edhe Shqipërinë, ka zgjedhur heshtjen përballë kësaj tragjedie humanitare.
Qeveria shqiptare nuk mund të vazhdojë të sillet si spektatore apo si zgjatim politik i Tel Avivit. Ajo ka detyrim kushtetues dhe moral të mbrojë çdo qytetar shqiptar, kudo që ndodhet. Baki Goxhaj është qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe, si i tillë, shteti shqiptar është i detyruar të reagojë menjëherë, të kërkojë informacion zyrtar për ndalimin e tij dhe të insistojë për lirimin e menjëhershëm e pa kushte.
Heshtja në raste të tilla nuk është neutralitet, është bashkëfajësi.







