Transplante të veshkës që mund të kryheshin në Shërbimin e Urologjisë dhe Nefrologjisë në QSUT tashmë nuk realizohen më në spitalin publik, duke hedhur hije dyshimi se ky vendim shërben për të favorizuar spitalet private.

Mesatarisht 14 pacientë në vit kryenin transplantet në Shqipëri, por sot procedurat kryhen në Spitalin Hygeia dhe Spitalin Amerikan – të financuara nga buxheti i shtetit – ku çmimi për një transplant shkon deri në 20 mijë euro.

Ndërkohë, salla e transplantit në QSUT, e pajisur me aparatura moderne falë një investimi prej 3 milion euro nga projekti italian “Intereg”, qëndron e mbyllur që nga viti 2009, pas tre transplanteve të para të kryera me sukses.

Drejtoria e QSUT konfirmon se transplantet financohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, por mohon lidhjen me investimin prej 3 milion euro të projektit Intereg, duke e bërë të pavlerë hapjen e sallës publike për pacientët.

Lidhje të dyshimta me bizneset private

Dyshimet janë se ish-nëndrejtorja e QSUT dhe aktualisht shefe e Nefrologjisë, Arjana Strakosha, ka lidhje të ngushta me bizneset e Klodian Allajbeut. Djali i saj, Arber Teqja, është përfshirë në manovrat e Allajbeut për të përfituar tendera në Shëndetësi, përfshirë kompaninë “Eco Riciklim Shpk” për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Në shkurt të vitit 2025, Teqja shet 70% të aksioneve të tij në këtë kompani me vetëm 60 mijë euro tek firma “ANA Mark”, ku Allajbeu rezulton pronar 100%. Për koinçidencë, e njëjta kompani fiton në të njëjtin vit një tender prej afro 37 milion lekësh për menaxhimin e mbetjeve spitalore në QSUT.

Kjo situatë ngre pyetje të mëdha mbi transparencën e përdorimit të fondeve publike dhe favorizimin e spitalëve privatë, ndërsa pacientët që duhet të përfitojnë nga shërbimet publike mbeten jashtë sistemit.