Denoncimi tronditës për “anarshi” totale

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al hedh dritë mbi një situatë shqetësuese në Spitalin e Korçës, ku punonjësit pretendojnë për vonesa të përsëritura të pagave, mungesë transparence dhe shkelje të të drejtave bazë në punë.

Sipas denoncimit, paga e muajit prill nuk është shpërndarë ende, edhe pse data 5 maj parashikohet si afat në kontratat e punës. Punonjësit theksojnë se kjo nuk është hera e parë që përballen me vonesa të tilla, duke ngritur shqetësimin për një praktikë të përsëritur dhe pa asnjë shpjegim zyrtar.

Pretendime për shkelje të rënda

Në denoncim evidentohet gjithashtu se:

  • Ka diferenca të pajustifikuara në pagesa, që nuk përputhen me orët e punës apo ditët festive;
  • Punonjësve nuk u jepen kopje të kontratave të punës, edhe kur i kërkojnë;
  • Administrata refuzon të japë sqarime dhe shmang çdo formë transparence;
  • Klima në institucion përshkruhet si presionuese, ku askush nuk guxon të flasë publikisht.

Punonjësit shprehen se ndihen të pambrojtur dhe të lënë në mëshirë të një sistemi që, sipas tyre, funksionon pa rregulla dhe pa llogaridhënie.

Thirrje për ndërhyrje

Në fund të denoncimit, ngrihen pyetje të forta mbi rolin e institucioneve përgjegjëse dhe zbatimin e Kodit të Punës, duke kërkuar verifikim urgjent të situatës dhe vendosjen e përgjegjësive për shkeljet e pretenduara.

“Ne kërkojmë vetëm të drejtat tona bazë dhe pagesën e punës që kemi bërë,” thuhet në denoncim, duke nënvizuar nevojën për reagim institucional.

Denoncimi i plotë:

“Përshëndetje, dua të bëj një denoncim për spitalin e Korçës.
Vazhdon abuzimi në Spitali i Korçës me pagat.
Pagën e muajit prill nuk na e kanë kaluar ende, sot është data 5 maj, sipas afatit të përcaktuar në kontratën e punës.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh; pagat kalohen me vonesë dhe pa asnjë shpjegim.
Ka diferenca të pajustifikuara në paga, në kundërshtim me orët e punës dhe ditët festive.
Nuk na jepen kopje të kontratave të punës.

Administrata refuzon të japë llogari dhe shmang çdo transparencë; është një anarki e vërtetë. Nuk japin përgjigje, të mbyllin derën në fytyrë. Kërkojmë vetëm të drejtën tonë. Ku janë të drejtat bazë të punonjësve sipas Kodit të Punës? Kush mban përgjegjësi për këto shkelje?

Aty gjithçka është kthyer në anarki. Askush nuk flet për shkak të presionit. Sikur të kemi shkuar në punë për qejf dhe jo sepse na duhet paga. Nuk flet askush.

Nuk na është kaluar sërish paga e muajit prill, sot më 5 maj, siç parashikohet në kontratën e punës. Nuk na japin kopje të kontratave kur i kërkojmë dhe as sqarime mbi pagën.

Kemi vërejtur shuma të ndryshme, më të ulëta dhe të pajustifikuara, në bazë të orëve të punës, ditëve festive apo pushimeve zyrtare. Nuk ka transparencë, nuk ka llogaridhënie; secili vepron sipas qejfit të vet.

A ka institucione që e kontrollojnë këtë situatë?”

Redaksia e Publik.al mbetet e hapur për çdo reagim zyrtar nga drejtuesit e Spitalit të Korçës apo institucionet përkatëse lidhur me këtë çështje.