Firma greke

“Archirodon Construction”

nuk pagoi garancinë 8 milionë euro!

Një tjetër zhvillim problematik po shfaqet në tenderin për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, pasi kompania greke e shpallur më herët fituese, “Archirodon Construction”, u tërhoq në fazën finale të procedurës, pikërisht në momentin kur pritej lidhja e kontratës.

Burime pranë Autoritetit Portual të Durrësit bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime serioze që kjo kompani nuk ka paguar garancinë e detyrueshme të ofertës, në vlerën rreth 8 milionë euro. Sipas dokumenteve standarde të tenderit, kjo shumë duhej të depozitohej në llogaritë bankare të përcaktuara nga autoriteti kontraktor që në fazën e parakualifikimit.

Nëse konfirmohet se garancia nuk është paguar, atëherë procedura ngre problematika të rënda ligjore dhe administrative, duke ekspozuar zyrtarët përgjegjës ndaj përgjegjësive penale. Dosja e këtij tenderi tashmë ndodhet nën shqyrtim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila pritet të verifikojë lëvizjet financiare dhe respektimin e kushteve kontraktuale.

Tenderi me objekt “Ndërtimi i Portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano – Faza I” kishte një fond limit prej rreth 400 milionë eurosh dhe është shoqëruar që në fillim me polemika për procesin e përzgjedhjes së operatorëve ekonomikë. Në garë fillimisht morën pjesë disa kompani ndërkombëtare, por në vijim u skualifikuan, duke lënë si ofertues të vetëm kompaninë greke.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi më 9 mars se procedura kishte dështuar për shkak të mungesës së ofertave, duke ia atribuar tërheqjen e kompanisë rritjes së kostove të ndërtimit. Megjithatë, zhvillimet e reja hedhin dyshime se arsyeja reale mund të lidhet me mosplotësimin e detyrimeve financiare nga operatori ekonomik.

Paralelisht, projekti ka prodhuar tashmë një faturë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit. Rreth 17 milionë euro janë shpenzuar për projektimin, 12 milionë euro për konsulencë dhe afro 8 milionë euro për shpronësime, pa u realizuar ende ndërtimi i portit.

E gjithë procedura mbetet nën hetim, ndërsa verifikimi i pagesës së garancisë konsiderohet një nga elementët kyç që mund të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me shkelje administrative apo me një skemë më të thellë abuzimi me fondet publike.