
Nëse SPAK përton të shkojë deri në Palasë për të konstatuar vilën e fshehur, të paktën të çojë hetuesit e BKH-së deti tek pallati Park Gate, pranë Parkut të Liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik!
SPAK ka sekuestruar vilën me numër F 022, në ‘Vala Mar Residence”, në Hamallaj. Ky sekuestro është bërë në kuadër të procedimit penal nr. 30 të datës 24 shkurt 2023, për Arben Ahmetajn, i cili është marrë nën hetim për pastrim parash, korrupsion, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre.
Vila është në emrin e Erjola Hoxhës, bashkëjetueses së ish ministrit Ahmetajt. SPAK dyshon se këtë vilë Ahmetajt ia ka dhuruar Klodian Zoto për aferën e inceneratorëve. E vërteta i takon gjykatës. Deri këtu SPAK po zbaton ligjin dhe në fund do të vendosë gjykata.
Problemi është se SPAK po vepron me dy standarde. Ligji penal në dorën e SPAK që vepron mbi vilën e Arben Ahmetajt, nuk po vepron për vilën e ish ministrit Blendi Klosi.
Pronari real i vilës me nr. 69 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, është Blendi Klosi.
Vila ka shtesa pa leje, punime cilësore ndryshe nga vilat e tjera dhe mobilim përrallor.
Vetëm mermeri i ardhur nga guroret e Skraparit, kushton sa një vilë e zakonshme.
Vila është në emrin e Dritan Shakohoxhës, mik i besuar i Klosit.
Vila mund të ketë kaluar edhe në emra të tjerë. Por jo vetëm që është e Klosit, frekuentohet prej tij, por Blendi është kujdesur hap pas hapi gjatë fazës së ndërtimit.
Si Klosi, ashtu edhe Shakohoxha, nuk kanë burime të ligjshme të ardhurash, për të blerë dhe mbuluar një pasuri të tillë. Vila me nr. 69 në kompleksin “Green Coast” në Palasë, është një provë flagrante korrupsioni që sfidon çdo ditë SPAK.
Ky informacion mund të verifikohet lehtësisht nga SPAK dhe BKH. Këto evidenca janë të mjaftueshme për të nisur një hetim kryesisht.
Ku ndryshon vila e Arben Ahmetajt nga vila e Blendi Klosit? I pari e ka kaluar në emrin e bashkëjetueses, ndërsa i dyti në emrin e Shakohoxhës.
Jo vetëm kaq! Blendi Klosi jeton në apartamentin numër 81, me sipërfaqe 368 m2, në katin e 12, në pallatin Park Gate, pranë Parkut të Liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik. Ky apartament me vlerë mbi 500 mijë euro, figuron në emrin e Sandër Frangajt.
Apartamenti është një tjetër pasuri e Blendi Klosit, produkt i aferave korruptive. Nëse SPAK përton të shkojë deri në Palasë për të konstatuar vilën e fshehur, të paktën të çojë hetuesit e BKH-së deti tek pallati Park Gate, pranë Parkut të Liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik!/Pamfleti






