GJKKO njofton kompaninë e ndërtuesit Armando Pajtoni për gjyqin

Një hetim pasuror i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar dy apartamente në Tiranë dhe një automjet që dyshohet se i përkasin në mënyrë të tërthortë një personi të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Skyweb shkruan se bëhet fjalë për shtetasin Flori Pali, 49 vjeç nga Lezha, i cili u akuzua nga Policia në vitin 2023 për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Në maj të vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi konfiskimin e disa pasurive që sipas hetimit rezultonin në zotërim të tërthortë të Palit. Vendimi tashmë është ankimuar dhe çështja ka përfunduar në Apelin e GJKKO.

Sipas vendimit të gjykatës, një apartament me sipërfaqe 93 metra katrorë, me numër pasurie 1/40+1-4 në zonën kadastrale 3292, në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë, rezulton i regjistruar në emër të kompanisë “Pajtoni shpk”, por sipas konstatimeve të gjykatës është në zotërim të tërthortë të Florit Palit.

Një tjetër apartament në të njëjtën zonë, me sipërfaqe 69.7 metra katrorë dhe numër pasurie 1/40+1-5, figuron gjithashtu në emër të “Pajtoni shpk”, ndërsa sipas GJKKO konsiderohet pronë faktike e Palit përmes personave të tretë.

Në të njëjtin vendim është konfiskuar edhe një automjet Mercedes Benz E 220 CDI, i prodhimit të vitit 2012, me targë AB630BK. Automjeti rezulton i regjistruar në emër të shtetasit Flavian Lazri, por sipas gjykatës është përdorur dhe kontrolluar në mënyrë të tërthortë nga vëllezërit Pali.

Flori Pali ka ankimuar vendimin e konfiskimit në Apelin e GJKKO, duke kërkuar rikthimin e pasurive dhe duke pretenduar se ato janë në pronësi të personave të tjerë.

Nga dokumentet e konsultuara rezulton se gjykata ka njoftuar si palë të interesuar në proces edhe pronarët ligjorë të pasurive. Në këtë kuadër është njoftuar edhe kompania “Pajtoni shpk”, në pronësi të biznesmenit të ndërtimit Armando Pajtoni, pasi dy apartamentet në Tiranë rezultojnë të regjistruara në emër të kësaj shoqërie.

Sipas konstatimeve të gjykatës, kompania ka shërbyer si mbulesë për pronësinë reale të pasurive, të cilat sipas hetimit dyshohet se i përkasin Florit Palit.

Hetimi pasuror është zhvilluar nga SPAK, i cili ka identifikuar pasuritë që dyshohet se janë fshehur përmes personave të tretë dhe subjekteve juridike.

Seanca në Gjykatën e Apelit të GJKKO për shqyrtimin e ankimit është caktuar të zhvillohet më 19 mars, në orën 09:00, në ambientet e kësaj gjykate.