Nga Florjan Kalaja
Ky është shkrimi i fundit që më ndërpret analizën dhe gjetjet mbi projektin e Kodit të ri Penal, gjë e cila ka qenë dhe mbetet qëllimi parësor në këtë sipërmarrje timen. Por sërish ndjej detyrën profesionale dhe angazhimin qytetar civil për të komentuar ndërhyrjen e njëzet e pestë në Kodin Penal në fundnatën e 27 dhe fillimnatën e 28 janarit 2026.
- Më datë 12 shkurt rezulton se ky ligj ka marrë miratimin presidencial.
- Më datë 13 shkurt rezulton se është botuar në Fletoren Zyrtare.
- Më datë 27 shkurt pritet të hyjë në fuqi.
I ndërgjegjshëm se ka më shumë material për koment se sa katër shkrime radhazi mbi këto ndryshime të Kodit Penal, përmes këtij shkrimi do të paraqes në vijim disa raste të mungesës së maturisë së hartimit, propozimit dhe miratimit të këtij ligji, duke dashur ta mbyll me kaq këtë punë të ndërvendosur nga ky zhvillim i së drejtës penale materiale në Shqipëri, në mënyrë që më tej t’i përkushtohem drejtpërdrejtë vetëm projektit të Kodit të ri Penal dhe rubrikës sime mbi të.
I. Konteksti kushtetues dhe precedenti i vitit 2014
Sikurse titulli e jep mjaftueshëm kumtin, ky shkrim do të përqendrohet në episodicitetin dhe spontanitetin e sanksioneve penale me burgim të parashikuara në ndryshimin e radhës të Kodit Penal në 31 vite të veprimit të tij në historinë e Shqipërisë.
Paraprakisht më duhet të sjell në vëmendje një shembull simotër të rasteve që do të parashtrohen në vijim. Në vitin 2014 Kuvendi ndryshoi ndër të tjera sanksionet e dënimit me burgim në veprën penale të armëmbajtjes pa leje, duke i dyfishuar ato, konkretisht në nenin 278 të Kodit Penal. Atëbotë Gjykata e Apelit Vlorë kërkoi në Gjykatën Kushtetuese ndër të tjera shfuqizimin e këtyre sanksioneve penale si haptazi joproporcionale dhe haptazi episodike dhe që prishnin harmoninë e normave të pjesës së posaçme të Kodit Penal dhe bashkë me të edhe parimin e shkallëzimit të dënimeve penale sipas rëndësisë së veprave që ato i atashohen.
Me Vendimin nr. 9/2016 Gjykata Kushtetuese ndër të tjera shfuqizoi dy paragrafë të nenit 278 të Kodit Penal, duke konstatuar se ligjvënësi është mbështetur thellësisht në strategjinë e ndërhyrjes ndëshkuese, e karakterizuar posaçërisht nga parashikimi i instrumenteve ashpërsuese, sikundër është rritja e marzheve minimale dhe maksimale të dënimit dhe përpjekja për të parashikuar të gjitha rastet dhe rrethanat e mundshme të kryerjes së veprës penale.
Gjykata solli në vëmendje se ndryshimet e ndërmarra nga ligjvënësi kanë qenë përgjithësisht spontane, nisur nga synimi për të luftuar kriminalitetin, por pa iu nënshtruar më parë studimeve të thelluara për të shmangur prishjen e balancave jo vetëm midis masave të dënimit të veprave penale të një kapitulli, por edhe në raport me veprat e tjera penale, në varësi të rrezikshmërisë shoqërore të tyre.
Sipas Gjykatës, një qasje e tillë ka deformuar strukturën e Kodit Penal, duke krijuar disproporcione të pashpjeguara midis dënimeve të parashikuara për vepra të ndryshme, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe të proporcionalitetit, në rastet e kufizimit të të drejtave dhe lirive të individit. Si përfundim, rritja e sanksioneve në këtë mënyrë përbën cenim të parimit të proporcionalitetit, në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës.
II. Neni 100 – Marrëdhënie seksuale me të mitur
Pavarësisht kësaj jurisprudence, pak më shumë se një dekadë më pas, Kuvendi vepron njëlloj sikurse në vitin 2014.
Në nenin 100 të Kodit Penal:
- Kryerja e akteve seksuale me të mitur deri në 14 vjeç dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet.
- Kur fëmija është 14–18 vjeç dënohet nga 5 deri në 15 vjet.
Ndërkohë paragrafi pasues penalizon vetëm sjelljen e shtrëngimit, detyrimit ose kërcënimit të një fëmije për të kryer akte seksuale me persona të tretë dhe parashikon dënim jo më pak se 10 vjet. Duke mos pasur maksimum të posaçëm, sipas nenit 32 të Kodit Penal, maksimumi arrin në 35 vjet burgim.
Kjo do të thotë se:
- Vetëm detyrimi/kërcënimi dënohet më shumë se vetë akti seksual me të mitur.
- Dënimi është 15 apo 20 vjet më shumë.
- Parashikohet dënim më i lartë se për vrasjen me dashje.
- 15 vjet më shumë se maksimumi i nenit 76.
- 10 vjet më shumë se vrasja me paramendim sipas nenit 78.
III. Neni 108 – Vepra të turpshme me të mitur
Forma e thjeshtë: 3–7 vjet burgim.
Kur kryhet nga persona me marrëdhënie familjare: 5–10 vjet.
Përfshirja si dëshmitar: 1–5 vjet.
Propozimi i një takimi me qëllim abuzimi seksual: 1–5 vjet.
Ndryshimi i vitit 2026 shton:
- Angazhimi si dëshmitar në abuzim: 2–6 vjet.
- Nëse kryhet më shumë se një herë, në bashkëpunim, me dhunë apo nga persona të afërt: jo më pak se 10 vjet dhe deri në 35 vjet burgim.
Pra, dënohet më shumë pjesëmarrja si dëshmitar sesa vetë abuzimi seksual material ndaj fëmijës nën 14 vjeç.
Edhe kjo vepër:
- 15 vjet më shumë se vrasja me dashje.
- 10 vjet më shumë se vrasja me paramendim.
IV. Neni 114/a/1 – Shfrytëzimi i prostitucionit të të miturve
Paragrafi i dytë:
- Për fëmijë të trafikuar nën 14 vjeç: 5–35 vjet burgim.
- Për moshën 14–18 vjeç: 2–35 vjet burgim.
Anomali:
- Diskrecion gjyqësor 30–33 vjet.
- Dënohet më pak shfrytëzimi i prostitucionit të fëmijës së trafikuar sesa aktet seksuale me të mitur të patrafikuar.
Rezulton:
- 5–7 vjet më pak në nisjen e minimumit.
- Sërish 15 vjet më shumë se vrasja me dashje.
- 10 vjet më shumë se vrasja me paramendim.
V. Neni 117 – Pornografia
Përdorimi i teknologjisë për t’i kërkuar fëmijës pornografi:
- Nën 14 vjeç: 3–35 vjet.
- 14–18 vjeç: 1–35 vjet.
Diskrecion gjyqësor: 32–34 vjet.
Edhe pa realizim të pornografisë:
- 15 vjet më shumë se vrasja me dashje.
- 10 vjet më shumë se vrasja me paramendim.
Janë 25–27 vjet më të larta se sanksioni për nxitjen dhe rekrutimin për shfaqje pornografike.
Janë 20–25 vjet më të larta se shtrëngimi për pjesëmarrje në shfaqje pornografike.
VI. Neni 232/a/1 – Trajnimi për qëllime terroriste
Vetëm faza përgatitore e marrjes së trajtimit për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, pa pasoja materiale:
- 7–35 vjet burgim.
Pra:
- 15 vjet më shumë se vrasja me dashje.
- 10 vjet më shumë se vrasja me paramendim.
Këto janë disa nga shembujt që ilustrojnë episodicitetin dhe spontanitetin e ndërhyrjeve në sistemin e sanksioneve penale, me pasoja të drejtpërdrejta në proporcionalitetin, harmoninë dhe koherencën e Kodit Penal.






