Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri kanë reaguar njëzëri pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në një deklaratë të përbashkët, diplomatët europianë kanë shprehur mbështetje të plotë për Gonzaton dhe ekipin e tij, duke i cilësuar sulmet ndaj tyre si të pajustifikuara dhe të papranueshme. Reagimi i tyre erdhi në kuadër të Ditës së Europës, duke theksuar unitetin dhe vlerat e përbashkëta të Bashkimit Europian.
Në deklaratë nënvizohet se ambasadorët qëndrojnë të bashkuar në mbështetje të përfaqësuesve të BE-së në Shqipëri dhe rikonfirmojnë besimin e tyre në profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tyre në shërbim.
Qëndrimi i diplomatëve erdhi një ditë pasi Berisha akuzoi ambasadorin Gonzato për qëndrime të njëanshme dhe për mbështetje të qeverisë së Edi Rama. Në deklaratat e tij, Berisha pretendoi se ambasadori ka përcjellë në Bruksel informacione të pavërteta lidhur me opozitën dhe qëndrimin e saj ndaj integrimit europian.
Megjithatë, reagimi i ambasadorëve të BE-së duket se mbyll çdo debat institucional mbi këtë çështje, duke dhënë një mesazh të qartë mbështetjeje dhe uniteti për përfaqësinë europiane në vend.







