I shpëtoi atentatit me 30 plumba
Rrëfimi i Irfan Azizit në një gjykatë britanike ka nxjerrë në pah detaje të forta mbi të kaluarën e tij dhe përpjekjet për të shmangur ekstradimin drejt Shqipërisë. 36-vjeçari pretendon se kthimi në vendlindje do ta vendoste sërish përballë rrezikut për jetën, duke përmendur një atentat të rëndë të ndodhur disa vite më parë.
Sipas dëshmisë së tij, në vitin 2020 ai u bë objekt i një sulmi të armatosur ku ndaj tij u qëllua me rreth 30 plumba. Nga ky atentat, ai mbeti i plagosur rëndë në dorë, e cila iu thye në shumë pjesë. Azizi deklaron se pikërisht kjo ngjarje e detyroi të largohej nga Shqipëria dhe të kërkonte strehim në Britaninë e Madhe.
Në seancë, ai hodhi akuza të forta duke pretenduar se sulmi ishte organizuar nga Talo Çela, një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe i lidhur me aktivitete kriminale. Sipas Azizit, personat që tentuan ta eliminonin janë pjesë e një rrjeti të rrezikshëm që, sipas tij, nuk heziton të kryejë atentate edhe ndaj figurave publike.
Aktualisht, Azizi ka kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar bashkë me familjen e tij, ndërsa më herët është strehuar në struktura të financuara nga shteti britanik për azilkërkuesit. Autoritetet shqiptare ndërkohë kërkojnë ekstradimin e tij për të vuajtur një dënim me burg, të dhënë në mungesë, për shkelje gjatë kohës së paraburgimit.
Një nga momentet më të pazakonta gjatë seancës ishte pranimi i tij se kishte paguar për të mbyllur një çështje gjyqësore në Shqipëri. Ai e përshkroi këtë si një praktikë të njohur, duke theksuar se pagesa përdorej për të shmangur dënimin, pa e konsideruar veten fajtor për mashtrim.
Nga të dhënat gjyqësore në Britani rezulton se ai është dënuar edhe atje, konkretisht në vitin 2025, për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Ndërkohë, në Shqipëri ka një histori të mëparshme penale që përfshin dënime për vjedhje dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme.
Azizi pretendon se para largimit kishte ndërtuar një jetë të konsoliduar ekonomike, duke administruar disa biznese si pika karburanti, lavazhe dhe një lokal. Megjithatë, pas atentatit, ai u largua nga vendi dhe u vendos fillimisht tek të afërm në Britani, përpara se të stabilizohej bashkë me familjen.
Gjatë kundërpyetjeve, përfaqësuesi ligjor britanik ngriti dyshime mbi pretendimet e tij për rrezik të vazhdueshëm, duke theksuar se gjatë viteve të qëndrimit në Britani ai nuk ka marrë kërcënime konkrete. Po ashtu, u theksua se as familjarët e tij nuk ishin kërcënuar më herët në Shqipëri.
Në përgjigje, Azizi këmbënguli se kërcënimet nga grupe të tilla nuk paralajmërohen dhe se rreziku mbetet real. Ai deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare dhe të dëshmojë për atentatin, por vetëm nëse personat përgjegjës arrestohen.
Çështja e tij mbetet ende në shqyrtim dhe vendimi i gjykatës britanike pritet të përcaktojë nëse ai do të ekstradohet apo do të vazhdojë të qëndrojë në Britani si azilkërkues./Daily Mail






