Një incident i rëndë sigurie ka tronditur mbrëmjen prestigjioze të White House Correspondents’ Dinner në Washington, ku të shtëna me armë zjarri kanë shkaktuar panik mes të pranishmëve.
Sipas raportimeve, Donald Trump dhe Melania Trump janë larguar me urgjencë nga ambientet e Washington Hilton, pasi një person i armatosur hapi zjarr në hollin e hotelit rreth orës 20:15.
Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta pasi kishte nisur eventi, i cili mbledh çdo vit figura të larta të politikës, medias dhe botës publike. Një person i armatosur ka hyrë me forcë në ambientet e hotelit, duke shkaktuar kaos dhe panik.
Qindra të ftuar u detyruan të strehoheshin poshtë tavolinave dhe karrigeve, ndërsa agjentët e shërbimit sekret ndërhynë menjëherë për të neutralizuar situatën dhe për të garantuar sigurinë e Presidentit dhe pjesëmarrësve.
Raportohet se një agjent i Shërbimit Sekret është qëlluar, por fatmirësisht ka qenë i pajisur me jelek anti-plumb, çka ka shmangur pasoja të rënda. Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar të tjerë.
Autoritetet konfirmojnë se i dyshuari është arrestuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, ai mund të ketë qenë klient në hotel dhe një dhomë e lidhur me të është vënë nën kontroll nga policia për verifikime të mëtejshme.
Mes kaosit, gazetarë dhe dëshmitarë okularë raportuan momentet e frikshme, ndërsa disa prej tyre deklaruan se autori ndodhej vetëm pak metra larg kur hapi zjarr.
Në një reagim të parë, Presidenti Trump konfirmoi arrestimin e autorit dhe falënderoi forcat e rendit për ndërhyrjen e shpejtë, duke bërë thirrje që eventi të vazhdojë.






