DENONCIM

13 kompani në garë – fiton vetëm njëra

Një tender publik me vlerë 118,385,642 lekë (mbi 1 milion euro) për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Demir Gashi” në Bashkinë Dibër ka ngritur dyshime serioze mbi transparencën, konkurrencën reale dhe respektimin e ligjit të prokurimeve publike.

Sipas të dhënave në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë 13 operatorë ekonomikë, por në fund janë skualifikuar 12 prej tyre, duke lënë si fituese vetëm kompaninë NIKA SHPK.

Ky fakt përbën një sinjal të fortë alarmi, pasi është thuajse statistikisht e pamundur që 12 kompani shqiptare, njëkohësisht, të mos plotësojnë kriteret teknike apo dokumentare. Kjo situatë krijon dyshime të arsyeshme se kriteret e tenderit janë ndërtuar në mënyrë selektive, të personalizuara për t’iu përshtatur vetëm një subjekti.

Tender i anulluar disa herë, një skemë e njohur

Dokumentacioni zyrtar tregon se ky tender është anulluar dy ose më shumë herë, një praktikë e njohur në prokurimet publike problematike. Anullimet e përsëritura shpesh përdoren si mekanizëm për:
• largimin e konkurrentëve “të padëshiruar”
• rregullimin e kritereve sipas fituesit të paracaktuar
• mbylljen e pazareve jashtë procedurës ligjore

Çmime më të ulëta u skualifikuan

Edhe më shqetësuese është fakti se operatorë që kishin ofruar çmime më të ulëta se fituesi janë skualifikuar, duke sjellë rritje artificiale të kostos së projektit dhe dëm të drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit.

Qëllimi i tenderëve publikë është kursimi i parave të taksapaguesve, por në këtë rast rezultati është i kundërt: fiton oferta më e shtrenjtë, ndërsa eliminohen alternativat më ekonomike.

Mbi 1 miliard lekë me TVSH për të njëjtën kompani

Nga fondet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Bashkisë Dibër, rezulton se mbi 1 miliard lekë me TVSH janë orientuar drejt Shpresa Nikës dhe kompanisë NIKA SHPK, e cila shfaqet si përfituese e përsëritur e tenderëve me objekt të ngjashëm në institucione shtetërore.

Kjo situatë forcon dyshimet për:
• shkelje të Ligjit të Prokurimeve Publike
• konkurrencë të manipuluar
• dhe ndarje klienteliste të fondeve publike

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, nga arka e shtetit shqiptar kanë kaluar në llogaritë e kompanisë Nika shpk mbi 24 milionë euro, në bazë të tenderave të dyshimtë dhe klientelistë.

Thirrje për hetim

Në një klimë ku flitet shpesh për luftë kundër korrupsionit, SPAK nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj rasteve të tilla. Bashkitë duket se janë kthyer në laboratorë të skemave të reja të abuzimit, dhe Dibra mund të jetë një pikënisje domethënëse për këtë mandat të ri hetimor.

Nëse drejtësia kërkon të nisë “me këmbë të mbarë”, ky tender është një dosje që meriton vëmendje urgjente.