Skandali në RTSH
Goditja e mashtrimit në tenderin e majmë
Një skandal i përmasave të mëdha ka shpërthyer në Radio Televizionin Shqiptar. Drejtoria e Përgjithshme ka skualifikuar nga gara për tenderin 9.5 milionë euro të mirëmbajtjes së rrjetit DVB-T2, bashkimin e kompanive R&T dhe TBS 96. Shkaku? Paraqitja e dokumenteve të falsifikuara në tentativë për të rrëmbyer kontratën e majmë.
Në garë u paraqitën tre oferta, ku bashkimi i operatorëve TBS 96 dhe R&T dha çmimin më të ulët, rreth 8 milionë euro. Por pas fasadës së çmimit fshihej një mashtrim i rëndë. Kompanitë pretendonin se kishin autorizim nga firma kineze “Xiamen Tongce” për pajisjet e prodhuesit gjigant “Rhode & Schwarz”.
Megjithatë, RTSH nuk u mjaftua me letrat: pas verifikimeve direkte me Kinën dhe kompaninë mëmë, rezultoi se asnjë autorizim nuk ishte lëshuar. Madje, prodhuesi deklaroi se firma kineze nuk ishte fare distributore për Shqipërinë.
Me skualifikimin e tyre, fituese është shpallur bashkimi i kompanive Idea-Tel dhe Real Com, me një ofertë prej rreth 9 milionë eurosh, ose sa 99.2% e fondit limit.
Ky skandal rëndon mbi TBS 96, një kompani që ka përfituar kontrata të rëndësishme, përfshirë tenderin sekret 11 milionë euro për komunikimet e policisë. Tashmë, sipas ligjit, këto kompani rrezikojnë përjashtimin deri në 3 vjet nga prokurimet publike për shkak të mashtrimit.
Ky tender ka qenë një “fushëbetejë” interesash të forta. I nisur nga ish-drejtoresha Polo, i anuluar nga drejtuesja aktuale Eni Vasili pas dyshimeve për ndërhyrje edhe nga bota e krimit, ky prokurim mbetet një nga dosjet më të nxehta të RTSH-së.






