Dyshime mbi fasadën e suksesit
Ndërsa qeveria shqiptare flet për “ritme rekord” në negociatat me Bashkimin Europian, në Bruksel kanë nisur të shfaqen dyshimet e para serioze. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i ka dërguar një letër zyrtare Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, ku sinjalizon se procesi i integrimit po administrohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, duke përjashtuar opozitën.
Shkëndija që ndezi këtë reagim ishte një denoncim i deputetes së PD-së, Jorida Tabaku. Ajo përshkruan një panoramë ku qeveria mban të fshehur informacionin mbi negociatat, nuk informon Parlamentin për fondet europiane dhe po e kthen integrimin nga një proces kombëtar, në një axhendë thjesht partiake. McAllister ka ndërhyrë duke pyetur prerë Komisionin Europian: Si mund të garantoni që opozita shqiptare të ushtrojë të drejtat e saj kontrolluese?
Mesazhi i McAllister është i qartë: Brukseli po kërkon të gërvishtë “fasadën triumfaliste” të Tiranës. Ai paralajmëron Marta Kos se çdo devijim nga standardet demokratike dhe përfshirja e opozitës, rrezikon të minojë besueshmërinë e rrugës së anëtarësimit. Sipas tij, integrimi nuk është thjesht çështje e mbylljes së kapitujve teknikë, por e një konsensusi të gjerë politik që aktualisht mungon.
Dyshimet shtohen edhe më shumë pasi mbledhja e fundit e Këshillit të Integrimit dëshmoi sërish mungesën e opozitës. Teksa Komisioni Europian e cilëson Shqipërinë si “pararojë”, mbetet ende mister se pse ka ngecur procesi i miratimit të IBAR-it dhe hapja e kapitujve të rinj. Pyetja që shtrohet në Bruksel është: A po integrohet Shqipëria, apo vetëm qeveria e saj?






