Presidentja e gjashtë e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke dhënë një mesazh të fortë për unitet dhe solidaritet pas një nate që e cilësoi si të rëndë për vendin.

Në fjalën e saj drejtuar qytetarëve, Osmani theksoi se populli i Kosovës ka ditur gjithmonë të ringrihet edhe në momentet më të vështira, duke bërë thirrje për më shumë dashni dhe më pak përçarje.

“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngrihet edhe nga momente shumë të rënda. Prandaj ka ardhur momenti që të japim vetëm dashni. Mjaft më me propagandë, mjaft më me përçarje, mjaft më me ndjellje të frikës”, u shpreh ajo.

Vjosa Osmani nënvizoi nevojën për të zëvendësuar klimën e urrejtjes me solidaritet dhe shpresë, ndërsa kërkoi nga qytetarët të mbrojnë të vërtetën përballë propagandës dhe shpifjeve.

“Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm dashni për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë. Aty ku ka propagandë e shpifje, duhet të mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, theksoi Osmani.

Në përfundim të mesazhit të saj, ajo ftoi qytetarët që të bashkohen në këtë mision për të kapërcyer sfidat, duke përcjellë edhe një mesazh simbolik që shoqëronte videon: “Rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli!”