Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Bologna, ku një 12-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në rrethana aksidentale pasi ra nga lartësia e një pallati.
Viktima, Louis Pisha, ndodhej në tarracën e një ndërtese në zonën e Via Piave Bologna, së bashku me dy bashkëmoshatarë, kur ndodhi ngjarja fatale.
Sipas rindërtimit paraprak nga policia e komisariatit Santa Viola, i mituri ishte ngjitur mbi një dritare plastike në çati, transparente, e cila nuk i ka rezistuar peshës dhe është thyer papritur.
Fillimisht, 12-vjeçari ka mbetur i varur në strukturë, ndërsa shokët janë përpjekur ta ndihmojnë duke e kapur, por pa mundur ta shpëtojnë. Në pak çaste, ai ka rënë nga kati i tetë, duke humbur jetën në vend si pasojë e plagëve të marra.
Mësohet se i mituri nuk ishte banor i pallatit ku ndodhi aksidenti.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës, por fatkeqësisht nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ta shpëtuar. Skena është bërë edhe më e rëndë nga reagimi i nënës së tij, e cila, e shkatërruar nga dhimbja, është rrëzuar në tokë mes lotësh.
“Ka vdekur, më thoni çfarë ndodhi”, mësohet të ketë thënë ajo mes dëshpërimit.
Kjo nuk është hera e parë që zona përballet me një ngjarje të rëndë. Në vitin 2024, pranë të njëjtit pallat, 17-vjeçari Fallou Sall humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që i ka marrë jetën një të mituri.






