Një tjetër ngjarje e rëndë ka goditur komunitetin e tifozëve të PAOK, duke e thelluar edhe më shumë dhimbjen pas aksidentit tragjik me shtatë viktima.
Mediat greke raportojnë se një tifoz 55-vjeçar nga Larisa ka humbur jetën pasi pësoi arrest kardiak, menjëherë pasi u njoh me lajmin e aksidentit fatal. Sipas të njëjtave burime, mes viktimave të aksidentit ndodhej edhe një mik i afërt i tij, fakt që dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
55-vjeçari njihej si një mbështetës i zjarrtë i PAOK-ut dhe prej kohësh vuante nga probleme me zemrën. Madje, në ditët në vijim ai kishte planifikuar t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kardiake.
Ngjarja ka tronditur opinionin sportiv në Greqi, duke shtuar edhe një humbje tjetër tragjike në një seri zhvillimesh që kanë prekur rëndë tifozët e klubit nga Selaniku.






