Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar një rritje të fortë pas tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme, duke arritur nivelet më të larta të viteve të fundit dhe duke rikthyer frikën për një krizë të re energjetike në shkallë globale.
Në tregun amerikan, një fuçi nafte e referencës WTI (West Texas Intermediate) u mbyll në 90.90 dollarë, me një rritje prej më shumë se 12 për qind gjatë një seance tregtimi. Në total, gjatë javës çmimi është rritur me rreth 35.63 për qind, niveli më i lartë që nga krijimi i kontratave futures për këtë lloj nafte në vitin 1983.
Ndërkohë, një fuçi Brent, që shërben si standard për tregun ndërkombëtar të naftës, u mbyll në 92.69 dollarë. Çmimi i saj u rrit me më shumë se 8 për qind gjatë ditës dhe afro 27.88 për qind gjatë javës, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit.
Në vetëm pak ditë, çmimet janë rritur me më shumë se 20 dollarë për fuçi, ndërsa që nga fillimi i vitit rritja ka kaluar 30 dollarë. Nafta WTI po i afrohet gjithnjë e më shumë pragut simbolik prej 100 dollarësh për fuçi, një nivel që nuk është tejkaluar që nga korriku i vitit 2022.
Rritja e çmimeve u përshpejtua edhe më shumë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi “kapitullimin” e Iranit, duke rritur tensionin në tregjet energjetike.
Megjithatë, sipas analistëve të tregut, ndikimi më i madh vjen nga paralizimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Përmes kësaj ngushtice kalon rreth 20 për qind e prodhimit global të naftës.
Analistët theksojnë se çdo ditë që kjo rrugë detare mbetet e bllokuar e bën tregun global të naftës edhe më të tensionuar.
Kapacitetet e depozitimit në vendet e Gjirit Persik janë të kufizuara dhe nëse situata vazhdon, prodhimi i naftës mund të reduktohet, ndërsa aktiviteti i rafinerive – veçanërisht në Azi dhe në Lindjen e Mesme – mund të ngadalësohet ndjeshëm.
Disa vende tashmë kanë nisur të ulin prodhimin. Iraku ka reduktuar furnizimin me rreth 1.5 milionë fuçi në ditë, ndërsa Kuvajti po i afrohet kufijve maksimalë të kapaciteteve të depozitimit.
Për të shmangur mungesat e mundshme në treg, Kina u ka kërkuar rafinerive kryesore të ndalojnë eksportet e produkteve të rafinuara si nafta dhe benzina, duke i orientuar ato drejt furnizimit të tregut të brendshëm.
Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane ka lejuar për një periudhë të kufizuar dërgimin e naftës ruse drejt Indisë, pavarësisht sanksioneve të vendosura më herët, me qëllim stabilizimin e furnizimeve në tregun global.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse trafiku në Ngushticën e Hormuzit rifillon, ai nuk pritet të rikthehet menjëherë në nivelet që kishte para shpërthimit të konfliktit.
Sipas specialistëve të tregjeve energjetike, rezervat aktuale globale të naftës mund të përballojnë një bllokim të kësaj ngushtice për rreth një muaj. Por nëse kriza zgjat më shumë, tregjet energjetike ndërkombëtare mund të përballen me tronditje të mëdha dhe me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë globale.






