Sateliti “Albania 1”, i prezantuar disa vite më parë si një nga projektet më ambicioze të mbikëqyrjes së territorit, raportohet se ka dalë përfundimisht nga funksioni, pasi është djegur në atmosferë më 29 janar 2026.

Informacioni është bërë publik nga eksperti i teknologjisë, Besmir Semanaj, i cili ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën se si është menaxhuar projekti dhe mungesën e transparencës nga institucionet përgjegjëse.

Dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshuan në hapësirë më 3 janar 2023 nga Cape Canaveral në Florida, në kuadër të një marrëveshjeje rreth 6 milionë dollarë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe kompanisë amerikane Satellogic USA Inc. Megjithatë, sipas ekspertëve, këta satelitë nuk kanë qenë pronë e Shqipërisë, por janë marrë me qira për një periudhë trevjeçare.

Projekti u promovua si një hap i madh drejt modernizimit, duke synuar monitorimin e territorit për ndërtimet pa leje, kultivimin e kanabisit, zjarret dhe çështje të tjera të sigurisë mjedisore dhe kufitare.

Por, sipas Semanajt, deri më sot mungon një bilanc i qartë mbi kostot reale dhe rezultatet konkrete të arritura nga përdorimi i kësaj teknologjie. Ai thekson se nuk ka të dhëna të detajuara mbi ndikimin real të satelitëve në identifikimin e ndërtimeve pa leje, parcelave me kanabis apo menaxhimin e zjarreve.

“Thuhet se projekti ka kushtuar rreth 6 milionë dollarë, por nuk ka një shifër të saktë dhe të verifikuar. Po ashtu, mungon një raport serioz mbi rezultatet konkrete në terren,” shprehet ai.

Semanaj ngre gjithashtu një tjetër shqetësim: mungesën e një konfirmimi zyrtar për fatin e satelitit. Sipas tij, institucionet duhet të sqarojnë publikisht nëse “Albania 1” nuk është më në orbitë dhe çfarë ndodh me projektin në vijim.

Ky zhvillim rikthen në qendër të debatit publik jo vetëm efikasitetin e investimeve në teknologji, por edhe nevojën për më shumë transparencë dhe llogaridhënie për projektet me kosto të lartë që financohen me para publike.