Basilio Pompei mbushi 100 vjeç në 20 shtator dhe rinovoi lejen e drejtimit të automjetit në 17 nëntor 2017, në moshën 100 vjeç e dy muaj. Pasi ju nënshtrua një kontrolli të rreptë mjekësor rezultoi se Basilio (Vasili) ishte i aftë fizikisht për të drejtuar makinën, kështu që e rinovoi patentën pa problem.

Basilio gjithë jetën e tij ka blerë e përdorur  vetëm makina italiane duke filluar me një Fiat 600, fiks 60 vjet më parë e duke vazhduar me Fiat 1100, Fiat 126, Fiat Regata , Fiat Panda dhe tani përdor një Fiat Punto. Basilio mburret se që në vitin 1938, kur ishte ushtar me detyrën e shoferit në ishullin Kos në Dodekanez e deri më sot nuk është dënuar asnjëherë me gjobë.

Në mbrëmjen e 8 shtatorit 1943, kur kapitulloi Italia, Basilio si zakonisht po transportonte materiale kazermimi me kamionin  Alfa Romeo 800 nga Comando Tappa Durazzo për në Aeroportin ushtarak të Shijakut e më pas për në Autorepartin në Tiranë. Sapo mbërrin te autoreparti Basilio kapet rob nga një patrullë SS-ësh të Divizionit Bradenburg, që po neutralizonin e carmatosnin efektivët e Superalba-s (Comando Superiore Albania). Duke iu përmbajtur betimit ushtarak shofer Basilio refuzoi të shërbente si shofer me trupat italiane, që u bashkuan me nazistët (Republika e Salosë) dhe përfundoi si ushtarak i internuar në Guvernatoriatin e Përgjithshëm (Polonia e pushtuar nga gjermanët). Pas 18 muajsh internim ai kthehet në Itali për të shërbyer si shofer me kamion amerikan Studebaker në rradhët e Korpusit të parë të motorizuar e blinduar (Primo corpo auto-corazzato) të ushtrisë badoliane.