Erion Veliaj dhe pasuria e grumbulluar: Kryebashkiaku i Tiranës në hetim për përfitime të dyshimta

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është nën hetim nga SPAK për katër akuza penale, jo vetëm që vijon të ushtrojë funksionet e tij si drejtues i Bashkisë, por rezulton të jetë një nga përfituesit më të mëdhenj nga taksat e qytetarëve. Dokumentet zyrtare të dorëzuara në ILDKPI tregojnë se Veliaj ka grumbulluar shuma marramendëse nga pagat dhe shpërblimet gjatë viteve të fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin dhe etikën e këtyre përfitimeve.

Rritja e të ardhurave të Veliajt në pesë vite

Sipas deklarimeve zyrtare në ILDKPI, nga viti 2020 deri në vitin 2024, Erion Veliaj ka siguruar mbi 110 milionë lekë të vjetër nga paga, shpërblimet dhe të ardhura të tjera.
• Viti 2020: Paga vjetore neto ishte rreth 15 milionë lekë të vjetër.
• Viti 2021: Veliaj përfitoi rreth 15 milionë lekë nga paga dhe 7.5 milionë lekë të tjera nga shpërblimet.
• Viti 2022: Shuma e shpërblimeve arriti në 17 milionë lekë, duke tejkaluar pagën e tij prej 16 milionë lekësh.
• Viti 2023: Rritja e pagave nga qeveria dhe miratimet në Këshillin Bashkiak çuan të ardhurat e tij nga paga dhe shpërblimet në mbi 41 milionë lekë, përfshirë 24 milionë nga paga dhe 17 milionë nga shpërblimet.

Në total, nga shpërblimet për vitet 2021-2023, Veliaj ka përfituar rreth 33 milionë lekë. Ndërsa të ardhurat nga pagat në këtë periudhë kapin shumën prej 70 milionë lekësh. Për vitin 2024, të ardhurat nga paga dhe shpërblimet pritet të kalojnë shifrën prej 40 milionë lekësh të vjetër, duke e çuar totalin e pesë viteve në mbi 150 milionë lekë.

Shpërblime të pajustifikuara

Një nga aspektet më të dyshimta të deklaratave të Veliajt është rritja e ndjeshme e shpërblimeve pas vitit 2021. Përfitimi i 7.5 milionë, 17 milionë dhe 17 milionë lekëve përkatësisht në vitet 2021, 2022 dhe 2023 nga shpërblimet, përveç pagave zyrtare, ngren dyshime mbi mënyrën si këto shpërblime janë miratuar dhe çfarë shërbimesh justifikojnë këto pagesa.

Kreu i Organizatës “5D” dhe dyshimet për korrupsion

Erion Veliaj nuk akuzohet vetëm për përfitime financiare të pajustifikuara, por edhe për drejtimin e një strukture të dyshimtë korruptive brenda Bashkisë së Tiranës, e njohur si “5D”. Kjo organizatë përbëhet nga një rrjet drejtorësh të akuzuar për korrupsion dhe keqmenaxhim fondesh publike. Hetimet e SPAK përfshijnë keqpërdorimin e detyrës publike dhe bashkëpunimin me elementë kriminalë për përfitime personale dhe politike.

Transparenca e munguar

Veliaj ka refuzuar të japë sqarime të detajuara mbi përfitimet financiare të deklaruara në ILDKPI dhe burimin e shpërblimeve masive që ka marrë. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës shpenzon qindra miliona lekë për udhëtime, hotele dhe privilegje të tjera për kryebashkiakun dhe bashkëpunëtorët e tij.

Qytetarët e Tiranës paguajnë edhe  për korrupsionin

Qytetarët e Tiranës jo vetëm që paguajnë taksa të larta, por duket se këto fonde shërbejnë për të mbajtur në pushtet dhe për të financuar një strukturë korruptive, që ka në krye një kryebashkiak të akuzuar për keqpërdorim të detyrës.

Në një kohë kur qytetarët përballen me rritjen e kostove të jetesës dhe mungesën e investimeve të prekshme në infrastrukturë dhe shërbime, qindra milionët që Veliaj përfiton nga taksat publike janë një ofendim i hapur për ta.

Pyetja përfundimtare mbetet: A do ta ndëshkojë drejtësia një ditë  Veliajn për abuzimet që ka bërë me paratë e qytetarëve të Tiranës?