Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), nën drejtimin e Arlinda Pogajt, ka finalizuar një tjetër procedurë prokurimi që ngre dyshime serioze mbi transparencën dhe konkurrencën në sektorin e shëndetësisë.

Në qendër të këtij tenderi gjigant është sërish oligarku i njohur i laboratorëve mjekësorë, Janis Karathanos, përmes kompanisë së tij PEGASUS SHPK. Dokumentet e bëra publike zbulojnë një skemë të njohur: një “garë” me vetëm një pjesëmarrës, ku fituesi duket se është përcaktuar paraprakisht, duke përfituar pothuajse të gjithë fondin limit të tenderit.

Karathanos është shpallur fitues me rreth 99.6% të vlerës së fondit, duke shfrytëzuar maksimalisht buxhetin e shtetit. Një alarm i qartë është ngritur nga fakti se në këtë tender, me vlerë mbi 1.1 miliardë lekë të vjetra, ka marrë pjesë vetëm një operator.

Kjo situatë tregon vazhdimësinë e praktikave ku kontratat e mëdha për reagentë dhe pajisje laboratorike mbeten monopol i një grupi të ngushtë biznesmenësh, shpesh të cilësuar si oligarkë të shëndetësisë.

Kur nuk ka konkurrentë të tjerë, nuk ekziston presion për uljen e çmimeve. Fituesi ka ofruar një shumë thuajse identike me tavanin e vendosur nga shteti, praktikë kjo që auditimet e cilësojnë si “paracaktim të fituesit”.

Shuma prej mbi 1.1 miliardë lekësh përfundon në një llogari të vetme, ndërkohë që sistemit shëndetësor i mungojnë shpesh barnat bazë.

Ky tender përfaqëson vetëm një pjesë të një mozaiku të gjerë të prokurimeve në shëndetësi, ku emrat e Arlinda Pogajt dhe Janis Karathanos shfaqen vazhdimisht në kontrata milionëshe që reflektojnë një mungesë të theksuar konkurrence.