OBP i jep 230 milionë lekë për “rikonstruksionin” e Spitalit të Pogradecit Safet Gjicit dhe Arbër Abazit, bashkëshortin e kushërirës së Belinda Ballukut
Nga Redaksia Investigative e Publik.al
📍 Tiranë, Tetor 2025
Një tjetër tender me vlerë të lartë nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka përfunduar në duart e një rrjeti të njohur ndërtuesish që prej vitesh përfitojnë kontrata publike me vlera qindra milionë euro.
Në qendër të kësaj skeme që përfshin bashkimin e interesave mes Safet Gjicit dhe Arbër Abazit, qëndron një tender prej 230 milionë lekësh për rikonstruksionin e Spitalit të Pogradecit.
Në mënyrë paradoksale, në këtë procedurë shfaqet edhe “njeriu i shtëpisë” së zv/kryeministres Belinda Balluku brenda ‘OBP-së Blendi Gonxhes’.
A po përpiqet të “shtrijë dorën e pajtimit” me Ballukun, duke favorizuar në tendera Safet Gjicin dhe Arbër Abazin, bashkëshortin e kushërirës së ministres.
Rikthimi i Safet Gjicit në skenën e tenderave publikë duket se nuk është vetëm çështje biznesi, por edhe ujdi politike e mirëkalkuluar me favore.
Kontrata 230 milionëshe për “rikonstruksionin” e Spitalit të Pogradecit
Rikonstruksioni i godinës qendrore të Spitalit të Pogradecit, me fond limit 292 milionë lekë me TVSH, ku fituese është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE):
“Kevin Construksion” sh.p.k, “Alko Impex Construction” sh.p.k dhe “Apis Construction” sh.p.k, me vlerë 229,721,533 lekë pa TVSH dhe 289.20 pikë në vlerësim.
Dokumentet zyrtare: gara “e hapur”, fituesi i paracaktuar
Sipas dokumenteve të OBP-së që ka siguruar Publik.al, në garë morën pjesë të paktën nëntë kompani ndërtimi:
- OE “JUNIK” sh.p.k – 253,877,548 lekë me TVSH
- OE “INA” sh.p.k – 215,234,410 lekë pa TVSH (oferta më e ulët)
- BOE “LLAZO” + “Viante Konstruksion” – 281,960,814 lekë pa TVSH
- OE “LIS Konstruksion” – 286,183,459 lekë pa TVSH
- BOE “ERGI” + “BE-IS” – 270,495,914 lekë pa TVSH
- BOE “AGI Kons” – 270,116,992 lekë pa TVSH
- BOE “Kevin Construksion” + “Alko Impex” + “Apis Construction” – 229,721,533 lekë pa TVSH (fituesi)
- OE “ED Konstruksion” – 270,116,992 lekë pa TVSH
- OE “AGRI Construction” – 274,536,599 lekë pa TVSH
Oferta më e ulët, “INA” sh.p.k, u la jashtë garës pa asnjë shpjegim publik, ndërsa “Junik” u skualifikua për arsye formale – një certifikatë ISO e pavlefshme sipas OBP-së.
Në fund, kontrata i kaloi treshes së përhershme të tenderave publikë.
Fituesi i procedurës – BOE “Kevin Construksion” (89.2%) + “Alko Impex” (7.2%) + “Apis Construction” (3.6%) – është një bashkim i njohur që del fitues në tendera të mëdhenj të financuar nga buxheti i shtetit.
Arbër Abazi prej vitesh fiton kontrata publike në infrastrukturë, pastrim dhe ndërtim në disa qytete të vendit.
Ndërkohë, Safet Gjici – ish-kryebashkiaku i Kukësit, i ka kaluar një nga kompanitë në emër të vëllait, Lavdrimit, për të shmangur përfshirjen direkte në tendera publikë.
Ky projekt me vlerë mbi 2.3 miliardë lekë shihet si “ogur i mirë” për rikthimin e tij në lojën ekonomike, në bashkëpunim me Abazin dhe Ervin Tartarajn.
Skualifikime masive dhe favorizim i dukshëm
Tre kompanitë fituese janë shpallur në kundërshtim me ligjin e prokurimeve publike, pasi kompanitë që morën pjesë, janë skualifikuar pa bazë të qartë ligjorenga gara.
Kjo ka ngritur dyshime serioze për manipulim dhe favorizim të hapur të grupit që përfaqëson interesat e “Rilindjes” në sektorin e ndërtimit.
Tenderi financohet nga buxheti i shtetit, për një institucion strategjik si Spitali i Pogradecit, por pavarësisht rëndësisë, procedura është shoqëruar me mungesë transparence dhe eliminim të konkurrencës së ndershme.
Lidhjet e familjes dhe mekanizmi i kontrollit
Ajo që e bën këtë rast veçanërisht të ndjeshëm është fakti se bashkëshortja e Arbër Abazit është mbesa e tezes së Belinda Ballukut, duke e kthyer këtë tender në një rebus familjar-politik që lidh OBP-në, ministrinë dhe bizneset e afërta me pushtetin.
Drejtoresha e OBP-së përmendet shpesh për tendera të kontestuar publikisht.
Burimet nga brenda institucionit i thanë Publik.al, se Pogaj është një emër i besuar për ministrin Blendi Gonxhe, e cila ka mbledhur njerëz të afert dhe te besuar përfshirë edhe sekretaren legjendare , duke ngritur një rreth të mbyllur. Ata kanë përzgjedhur një numër kompanish “të sigurta” që fitojnë tendera në mënyrë të përsëritur sipas ujdive. Një video që nje punonjës i OBP-së në një lokal në rrugën ‘Myslim Shyri’ i kërkon një firme parapagim ose ndryshe skualifukohesh duket se do t’i vërë kryqin edhe Arlindës.
Modeli i përsëritur: kontroll politik i fondeve publike
Fakti i thjeshtë mbetet ky: oferta më e ulët u la jashtë, ndërsa fituesit kishin lidhje politike e familjare.
Ky është një shembull tipik i modelit rilindas të kontrollit të fondeve publike:
- Fituesit nuk përcaktohen nga çmimi më i ulët, por nga pikëzime të errëta dhe subjektive;
- Kompanitë janë të lidhura mes tyre dhe fitojnë radhazi tendera të ndryshëm;
- OBP nën drejtimin e Pogajt funksionon si “garanci” për grupet klienteliste që ndajnë interesat e përbashkëta;
- Burime të Publik.al konfirmojnë se bashkëshorti i Pogajt kontakton drejtpërdrejt me drejtues të kompanive pjesëmarrëse, përpara se tenderi të shpallet fitues.
Redaksia disponon të dhëna dhe fotografi të disa prej këtyre takimeve në baret e Tiranës.
Publik.al i kërkon zyrtarisht dhe me shkresë OBP-së:
- Raportin e plotë të vlerësimit me tabelat e pikëzimit për të gjitha kompanitë pjesëmarrëse;
- Arsyet zyrtare të skualifikimit të “INA” sh.p.k (oferta më e ulët);
- Deklaratat e konfliktit të interesit të anëtarëve të komisionit të vlerësimit dhe drejtuesve të OBP;
- Historikun e tenderave të fituar nga “Kevin Construksion”, “Alko Impex” dhe “Apis Construction” gjatë viteve 2020–2025;
Në një shtet ku shëndetësia publike vuan mungesën e investimeve reale, 230 milionë lekë nga buxheti i shtetit i kalojnë një bashkimi kompanish të lidhura politikisht, nën drejtimin e një zyrtareje që kontrollon çdo kontratë strategjike të qeverisë.
Nëse kjo nuk është përdorim i pushtetit për përfitim të përbashkët, atëherë çfarë është?






