Ose me mirë pushoje çështjen!

Naim Noka

O Altin Dumani, nëse nuk ke ndërmend të ndalosh këtë krim financiar që ndodh çdo muaj para syve të tu, me firmën e shtetit dhe vulën e një koncesioni të paligjshëm  më mirë pushoje çështjen e inceneratorit të Tiranës. Sinqerisht, do të ishte më dinjitoze sesa të bësh sikur heton ndërsa lekët tona derdhen në një vrimë të zezë që nuk ekziston.

Prokuroria e Posaçme ka marrë më në fund të pandehur Erion Veliajn, kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, por jo për inceneratorin që ka vjedhur miliona, por për disa shpenzime të bashkëshortes së tij Ajola Xoxe. Afera më e madhe korruptive në historinë e Bashkisë së Tiranës, sipas teje, është një “krim i vështirë intelektual”.

Po ndërkohë që ti, Altin Dumani, sheh ëndrra me krime intelektuale të paarritshme, Bashkia e Tiranës  nën komandën e kukullës së Ramës, Anuela Ristani  i transferon qetësisht miliona euro çdo muaj një kompanie që nuk ekziston fizikisht në asnjë adresë të Tiranës. Vetëm në tre ditët e fundit të korrikut 2025 janë paguar mbi 1.5 milionë euro për inceneratorin fantazmë. Dy fatura të ndara, me vlera gati identike, për muaj të ndryshëm, që ngjajnë më shumë me një mashtrim financiar sesa me një shërbim real.

Si mundet që për muajin qershor, kur sipas propagandës së Ramës, Tirana është e tejmbushur me turistë dhe mbeturinat rriten ndjeshëm, fatura të jetë thuajse e njëjtë me muajin prill? A nuk të duket kjo e mjaftueshme për të ndalur pagesat, për të vendosur sekuestro, për të ngritur akuza reale, jo fjalë të bukura?

Nëse nuk ke kurajën për të ndalur këtë marrëzi, mos e tall inteligjencën publike me “krime të vështira për t’u provuar”. Ndërto një dosje, vendos prangat aty ku duhet, ose mbylle këtë farsë një herë e mirë.

Sepse më e rëndë se vjedhja është heshtja jote. Dhe më i turpshëm se krimi, është justifikimi yt.