BBC “zbërthen” kontrabandistin që kërkohet nga policia evropiane

Një investigim i thelluar i BBC ka hedhur dritë mbi identitetin e vërtetë të një prej figurave më të fuqishme në botën e kontrabandës së emigrantëve, rrjeti i të cilit dyshohet se ka organizuar një pjesë të madhe të kalimeve ilegale me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar në vitet e fundit.

Personi në fjalë është një 28-vjeçar me origjinë kurde nga Iraku, i njohur për një kohë të gjatë me pseudonimin “Kardo Ranya”. Sipas investigimit, emri i tij i vërtetë është Kardo Muhammad Amen Jaf, i cili kishte arritur të shmangte identifikimin dhe arrestimin për vite me radhë.

Gazetarët e BBC-së ndoqën gjurmët e aktivitetit të tij që nga kampet e emigrantëve në veri të Francës deri në Kurdistanin irakian, duke depërtuar në rrjetin e kontrabandës përmes kontakteve të brendshme.

Autoritetet britanike bëjnë me dije se rrjeti i tij operonte në një itinerar të gjerë, që niste nga Afganistani dhe përfundonte në Britani. Sipas Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), një pjesë e madhe e kalimeve me gomone kontrollohet nga grupe kurde të lidhura me zonën e Ranyas në Kurdistanin irakian.

Investigimi tregon gjithashtu se “Kardo Ranya” përdorte rrjetet sociale për të promovuar aktivitetin e tij, duke shpërndarë video që paraqisnin një jetë luksoze në Londër dhe histori suksesi të emigrantëve që kishin mbërritur në Britani.

Sipas dëshmive të një ish-kontrabandisti, rrjeti kërkonte deri në 17 mijë euro për transportimin e një emigranti nga Iraku drejt Britanisë, duke e paraqitur udhëtimin si më të sigurt dhe me shërbim “VIP”.

Megjithatë, realiteti shpesh rezultonte tragjik. Në investigim përmendet rasti i një 24-vjeçari nga Ranya, Shwana, i cili humbi jetën gjatë një tentative për të kaluar Kanalin Anglez, pasi gomonia me mbi 100 persona nisi të fundosej. Trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Familjarët e tij deklaruan se ai ishte ndikuar nga reklamat e kontrabandistëve që premtonin një jetë më të mirë në Britani.

Gjatë hetimit, gazetarët kontaktuan drejtpërdrejt me Jaf përmes aplikacionit WhatsApp, duke u paraqitur si emigrantë potencialë. Një bashkëpunëtor i tij ofroi një paketë “VIP” me vlerë deri në 160 mijë paund për transportimin e një familjeje të tërë.

I përballur me akuzat, Jaf mohoi përfshirjen në kontrabandë, duke pretenduar se ai thjesht u jepte këshilla njerëzve për të lënë Irakun. Ai hodhi poshtë gjithashtu çdo lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën i riu Shwana.

Sipas BBC-së, një prej bashkëpunëtorëve të tij, Noah Aaron, është dënuar së fundmi në Francë me 10 vite burg për organizim të emigracionit ilegal dhe pastrim parash.

Aktualisht, Kardo Muhammad Amen Jaf është në kërkim nga të paktën një forcë policore evropiane për t’u marrë në pyetje, ndërsa vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.