Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit, ku gjatë një bisede me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës “Kathimerini”, ndau detaje edhe nga një komunikim i tij me presidentin amerikan Donald Trump në kuadër të Bordit të Paqes.

Gjatë diskutimit, Rama u ndal te një çështje që, sipas tij, mbetet thelbësore: proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se këtë shqetësim ia ka përcjellë drejtpërdrejt Trump, por deri më tani nuk ka marrë një përgjigje.

Pjesë nga intervista:

“Po, kisha privilegjin të isha me Presidentin Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes, dhe po, i thash diçka që është shumë e rëndësishme për mua, që ka të bëjë me Drejtësinë Ndërkombëtare. Kjo është e lidhur ngushtë me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është krijuar bazuar në një raport fantazish, i cili është sponsorizuar nga rusët.

Delegacioni i Vladimir Putinit në Këshillin e Evropës mbështeste një mocion për hetimin e krimeve të quajtura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe veçanërisht të trafikut të organeve njerëzore.

Gjykata u krijua për të kthyer këtë raport fantazi në një proces kundër udhëheqësve, dhe ata morën nga posti një president të zgjedhur dhe e sollën atë në Hagë, duke e vendosur në burg para se të shpallej aktakuza.

Po ashtu, kryetarin e parlamentit dhe pastaj e gjithë kjo proces kaloi në diçka krejt tjetër. Pra, nuk ka pasur asnjë trafikim të organeve njerëzore. Dhe ata janë akuzuar praktikisht për udhëheqjen e një rebelimi kundër një pushtuesi dhe për bashkëpunim me NATO-n. Ky është thelbi i çështjes. Pra, unë i thashë Presidentit Trump që kjo është diçka që ai duhet ta dijë dhe ndoshta shpresoj që të ndërhyjë”.

I pyetur nëse ka marrë një përgjigje nga Trump, Rama u shpreh:

“Ai nuk më ka informuar ende. Por mendoj se ka qenë shumë i zënë”.