Denoncimi i fortë nga pronari i “Diamma Resort”: Na është kthyer në makth!
Një denoncim ka mbërritur në redaksinë tonë nga Mondi Luadhi, pronar i “Diamma Resort”, i cili ngre shqetësimin për zhurma të vazhdueshme gjatë natës në një nga zonat turistike më të frekuentuara të bregdetit të Golemit.
Sipas tij, aktiviteti muzikor në ambientet përballë resortit, konkretisht në zonën e “Hotel Bonita”, vijon deri në orët e para të mëngjesit, shpesh deri rreth orës 05:00.
“Kjo situatë vazhdon çdo natë, deri në 5 të mëngjesit. Është bërë e papërballueshme për pushuesit dhe biznesin tonë,” shprehet Luadhi në denoncimin e tij.
Ai shton se zhurmat e larta nga muzika dhe aktivitetet e natës po ndikojnë drejtpërdrejt në qetësinë e klientëve, duke rrezikuar jo vetëm imazhin e zonës turistike, por edhe mbarëvajtjen e sezonit veror për bizneset përreth.
Në mbështetje të pretendimeve, denoncuesi ka dërguar edhe videot, të cilat sipas tij dokumentojnë nivelin e lartë të zhurmës gjatë orëve të natës.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga ana e subjekteve të përmendura apo autoriteteve lokale lidhur me këtë çështje.
Mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të ndërhyjnë për të verifikuar situatën dhe për të garantuar respektimin e rregullave për qetësinë publike, sidomos gjatë sezonit turistik.
Ky rast rikthen në vëmendje një problem të hershëm në zonat bregdetare, ku balanca mes argëtimit të natës dhe pushimit të turistëve mbetet ende një sfidë e pazgjidhur.






