Alfred Lela

‘Fitorja pirrike’ apo ‘si e Pirros’, është termi alegorik përdorur për të përshkruar një triumf me shumë humbje; rasti kur në fund të betejës ti ke shënuar atë që mund të quhet si ‘fitore katastrofike’.

Lulzim Basha, kryetari i Opozitës së Bashkuar është në ‘gjendje lufte’ politike prej 67 ditësh me shumicën qeverisëse në Shqipëri. Dje ai është gjendur në rrethanën e një mundësie për ‘paqe të ndërmjetësuar’ nga një dërgatë gjermane, dhe i ka refuzuar kushtet e ofertës së palës tjetër. E cila përkufizohej te disa lëshime postesh ministrore, shtyrje me një muaj të datës së zgjedhjeve, kryetarin e KQZ, disa drejtorë policish, e ndonjë tjetër. Basha nuk ka lëvizur nga kushtëzimi i ditës 1 të protestës: qeverinë teknike.

Në këtë kuptim, dhe me anë të një refuzimi për ‘paqe’, ai ka fituar.

A është, apo a rrezikon të kthehet kjo fitore në ‘pirrike’?

Argumenti i parë, që kundërshtarët politikë ia lexojnë si pengesë kryetarit të opozitës, janë ndërkombëtarët. Basha, sipas tyre, nuk ka marrë asnjë mbështetje serioze nga kancelaritë e huaja. Kjo është pjesërisht e vërtetë, apo me saktë sillet në një formë që është më e sofistikuar se ‘fake news’, forma tjetër e përpunimit të lajmit, që njihet si ‘alternative facts’.Nndërkohë që kundërshtarët politikë dhe mediatikë i numërojnë Bashës çdo qëndrim skeptik ndaj lëvzijes opozitare dhe refuzues ndaj bojkotit, ata i lënë krejtësisht në harresë raportet dhe qëndrimet e agjencive të sigurisë, policimit apo mbikqyrjes.

Këtu fillon një ndarje interesante, që mund të etiketohet si ‘dy Europat’. E para është Europa politike dhe e dyta, Europa teknike. Me Europë politike nënkupto të gjitha institucionet e superstrukturës europiane, të tilla si BE, PE etj. por edhe, po deshe, parlamentin dhe kancelarinë gjermane. Me Europë teknike nënkupto institucionet e sigurisë apo policimit si Europol, Guardia di Financia, Prokurorisë italiane etj. Pa harruar këtu, edhe pse nuk është strukturë europiane, Departamentin Amerikan të Shtetit.

Raportet e të gjitha këtyre agjencive të përmendura këtu kanë verifikuar dhe certifikuar qëndrimet e opozitës. Duke folur për trafik të shumëfishuar droge (të rritur eksponencialisht, tha kryeprokurori italian); zgjedhje të rrezikuara dhe korrupsion të lartë (sipas raportit të DASH), etj.

Opozita, që kërkon qeveri teknike, takohet me këtë ‘EuroAmerikë’ teknike dhe, të dyja bashkë, i kundërvihen një ‘qeverie politike’ që kërkon të mbajë në këmbë Rama, pavarësisht bjerrjes së legjitimitetit.

Pyetja që ngre krye pas një vëzhgimi të tillë është: Pse Europa politike del kundër agjensive të saj (atyre që ne i kemi quajtur ‘teknike’ për lehtësi argumenti)?

Sepse, kancelaritë politike të shteteve specifike, apo ato të superstrukturës europiane, nuk lëvizin gjithmonë në bazë të fakteve, por kryesisht të konjukturave. Më e madhja ndër këto konjuktura është siguria dhe stabiliteti. Demokracia, edhe pse paradoksalisht hidhen miliona euro në funksion të ‘demokratizimit’, i përket një rendi të dytë.

Këtu mund të lexohet fare lehtë një hipokrizi e Europës, edhe nëpërmjet një shprehjeje të famshme amerikane ‘put your money where your mouth is’. E përkthyer lisho: bëj atë që thua. Europa dhe superstrukutra e saj, bëjnë pikërisht të kundërtën: derdhin para lumë për demokratizimin, me anë trajnimesh, konferencash etj. ku shpërndahen dijeni (knoë hoë), dhe kur vjen puna te aplikimi, gojën e çojnë te siguria dhe stabiliteti.

Zgjedhjet janë qartësisht instrument i demokratizimit të një shoqërie, dhe anshkalimi i tyre në favor të sigurisë në terma afatshkurtër, i kthen ato pa kaluar shumë në problem sigurie. Ja ku jemi në situatën që i humbim të dyja: sigurinë dhe demokracinë.

Argumenti i dytë ka të bëjë me rrezikun e tkurrje së mëtejshme, apo shuarjes së PD. Ka në të majtë shumë Kalkantë të fallit politik që e thonë gjasme si keqardhje, ndërkohë që e kanë si dëshirë. Partia Demokratike nuk humbet nga radikalizimi i ndërtuar mbi çështje apo kauza të thelbit. Rreziku do të ishte galopant nëse radikalizimi ngrihej mbi sajesa; por të gjithë bien dakord se të vetmet gjëra të sigurta të katër viteve qeverisje të Ramës kanë qenë lazaratizimi i Shqipërisë dhe kriminalizimi i politikës. Tonelatat që kapen çdo ditë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të Kavajës janë shembuj të kësaj.

Këta janë dy kuaj beteje mbi të cilët e ka hipur luftëtarin e saj ‘radikal’, kryetarin Basha, Partia Demokratike. Ai mund të ngjajë i largët me Bashën e buzëqeshur të zgjedhjeve për Tiranën e para 5 viteve, por koha na e ka hequr luksin e një kontesti dhe konteksti etik dhe estetik.

Argumenti i tretë, ai i vetingut, është qesharakëzuar pikërisht prej atyre që duke e thënë e stërthënë, si motiv të madh për bojkotin e opozitës, shpresojnë të kryejnë atë që quhet ‘hipnotizim me anë të përsëritjes’.

Basha ka qenë i qartë, ishte i tillë edhe mbrëmë në muzg të negociatave kur tha se ‘kjo nuk është një çështje ‘ose, ose’ por është një çështje ‘edhe, edhe’. Edhe qeveri teknike, edhe votim të vetingut.

Lulzim Basha mbrëmë ka marrë vendimin për të vazhduar betejën. Me të njëjtën kauzë dhe me mjete të tjera. Pa pësuar asnjë humbje. Aq më pak ‘pirrike’.

Sigurisht, nëse Rama i ofronte qeverinë teknike dhe Basha i bënte dredha vetingut, ky do të qe automatikisht një shpartallim. Një humbje e humbjeve./Politiko