Marin Mema

Isha pak ditë më parë me një mik nga Italia në një nga baret e Tiranës. Porositëm, si thuajse të gjithë në mëngjes, kafe dhe ujë… E pashë që u vrenjt. Nuk i pëlqeu aspak, siç m’u shpreh, që ujin nuk ia sollën shqiptar, por të një kompanie të njohur të huaj.

“Përse ju shqiptarët,” më tha, “gjithmonë zgjedhje të parë keni produktin e huaj?” Kishte të drejtë. Kur e mendova, diçka e tillë më ndodh gjithnjë e më shpesh. Në bare e hotele, thuajse gjithmonë të sjellin apo të propozojnë të parën birrën e huaj; shpesh edhe verën e huaj. Edhe në markete ndodh e njëjta gjë shpesh me produktet bazike.

A kanë probleme produktet shqiptare? Padyshim që po. Shpesh jo për faj të tyre, por mbi të gjitha për shkak të institucioneve kontrolluese, që në shumë raste nuk e kanë bërë si duhet detyrën e tyre në këto tre dekada. E kështu është krijuar mungesa e besimit, ideja se produktet e huaja — edhe ato që dreqi e di nga vijnë e kur skadojnë — janë më cilësore. Ndërkohë, produkti vendas lihet mënjanë dhe tregu mbytet nga importet. Madje sot importojmë edhe barin e thatë për bagëtitë… a ka më paradoks se kaq?

Flasim për turizëm dhe turistë, për shifra marramendëse, por nëse nuk krijohet një zinxhir i vërtetë ekonomik dhe prodhimi vendas nuk gjen vend në restorantet e shumta që janë hapur, atëherë zhvillimi do të mbetet vetëm në letër. Sepse portokalli, limoni, mandarina, rrushi, patatja dhe mollët e vendit, qershitë e zarzavatet tona, vaji i ullirit, janë po aq, në mos më cilësore se ato që vijnë nga jashtë, mjafton që kontrolli dhe standardi të funksionojnë seriozisht. Kështu rritet edhe siguria ushqimore, edhe ekonomia kombëtare.

Na mbytën kosi grek, portokalli grek, molla maqedonase, mielli serb e me radhë… Pse? Pse të mos kemi zgjedhje të parë Lufrën, Erzenin, Gjirofarmën, birrën “Korça”, “Peja”, “Vatan”, “Epos”, “Gjirokastra”, “Stela”, “Kaon” e me rradhë, verërat shqiptare e shumë produkte të tjera vendase? Asgjë nuk kushton të propozosh verën shqiptare të parën: kantinat “Arbëri”, “Kallmeti”, “Çobo”, “Kokomani” e shumë të tjera me cilësi shumë të mirë. E di që italianët dhe francezët kanë traditë në këto gjëra, por ti të huajit propozoji tënden njëherë. Verën italiane e franceze ai e gjen në Itali e Francë, ose e kërkon vetë nëse nuk dëshiron vendasen. Propozoji birrën tënde, djathin e kosin tënd, domaten, qershinë, mollën… atë që prodhon ky vend. Mos më nxirr ujin e huaj në restorant, por propozo ato vendas.

Përse të mos kemi më shumë vëmendje për produktet që mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare, që sjellin punësim, zhvillim dhe më shumë para që mbeten brenda vendit? Mjafton që autoritetet të bëjnë detyrën e tyre: të rrisin besueshmërinë e institucioneve kontrolluese, kontrollet dhe asistencën për prodhuesit vendas; të mbështesin prodhimin vendas dhe të subvencionojnë me skema të drejta, pa korrupsion e pa tarafe. Kështu i ndihmojmë edhe në cilësi edhe në koston e prodhimit dhe daljes në treg!

Duhet mbështetje nga fermeri më i vogël deri tek më i madhi. Atëherë shumë gjëra do të ndryshonin. Sepse një vend nuk forcohet vetëm duke konsumuar atë që vjen nga jashtë, por duke besuar dhe investuar te ajo që prodhon vetë.