Naim Noka
Më bëri përshtypje pas intervistës ‘me bet’ të lartë të ish-drejtoreshës së AKSHI-it Mirlinda Karçanajt në ‘Top Story’ ku komentet në rrjetet sociale ishin shumë negative dhe që konvergonin në një pikë të vetme: nëse je bërë pis nga korrupsioni, të ‘pastron’ Grida!

Në logjikën e gazetarisë dhe të drejtësisë, ky është momenti ku skenari “shket”. Grida Duma e pyet për një video që “publiku e ka parë qindra mijëra herë”, dhe Mirlinda Karçanaj, në vend që ta korrigjonte duke thënë se në media kanë dalë vetëm foto, e pranon dhe e thellon narrativën e videos.
Mirlinda e AKSHI-t na u paraqit si fakire pa shtëpi, pa lekë dhe që lidhjet me Ergys Agasin i kishte si koleg.
Kush i ka parë ‘videot e kuplarasë’ në zyrën e ‘kryeministrit’ në hije Ergys Agasi që kontrollonte kadastrën, AKSHI-n, Policinë e Shtetit e kupton pse lotët e Mirlindës janë lot krokodili.
Nga pikëpamja logjike, kjo shpikje shërbeu për dy qëllime strategjike:
Ndërtimi i Alibisë së Inkuizicionit: Për të krijuar Mirlinda Karçanajt statusin e viktimës, që të duhet një “mëkat” i madh që i ishte bërë në publik. Duke folur për një video imagjinare në zyrën private të Ergys Agasit, ato tentojnë të orientojnë perceptimin e publikut drejt një “sulmi” në cenim të jetës private.
Në fakt, pak kohë me parë ishte avokati Maks Haxhia që doli në “Top Story” duke mbrojtur hapur Ergys Agasin, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhër-arresti për dyshime si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t.
Nën drejtimin e Grida Dumës, avokati Maks Haxhia dhe pedagogu Ervin Karamuço vunë në pikëpyetje akuzën për “grup të strukturuar”, kompetencën e SPAK-ut dhe forcën e provave, duke e zhvendosur debatin nga thelbi i dosjes tek procedura dhe interpretimi i filmimeve që Gysi ka me Mirlinda Karçanajn, Dallëndyshe Bicin apo Vlora Hysenin e SHISH-it duke pirë verë dhe dëfryer deri në orët e para të mëngjesit.
Por Grida, që di të shplajë me finesë, e di qëllimin: të anashkalojë vërtetësinë e dosjes. Nëse publiku bindet se mediat po “shpifin” ose po abuzojnë me video private që nuk ekzistojnë, atëherë publiku do të fillojë të dyshojë edhe për vërtetësinë e akuzave të tjera reale të SPAK-ut. Kjo quhet strategjia e ndotjes së burimit të informacionit.
Avokat Maks Haxhia e kishte tentuar zhvendosjen e fokusit nga akuza për “Grup Kriminal” të klientit të tij Ergys Agasi, ndërsa Grida po insistonte të na tregonte “Nënën e Lënduar” Mirlinda.
Dosja e SPAK-ut nuk është një çështje morali apo thashethemesh; ajo përmban akuza ekstremisht të rënda të Kodit Penal:
Shkelje e barazisë në tendera,
Grup i strukturuar kriminal.
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Në vend që në intervistë të jepeshin përgjigje me shifra, procedura ligjore dhe shpjegime se pse buxheti i shtetit u dëmtua përmes rritjes artificiale të çmimeve në tavolinën e zyrës së Gysit (si rasti i përmendur në dosje: “projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”), skenari ofroi teatër emocional.
Zëri i dridhur, lotët dhe leximi mekanik i fletës (ku Karçanaj nuk reagoi fare kur Duma doli për një sekondë nga skenari) dëshmojnë se qëllimi nuk ishte transparenca, por humanizimi i të pandehurës. Është shumë më lehtë për audiencën të ndjejë keqardhje për një “nënë që i është shkatërruar familja nga portalet”, sesa për një zyrtare të lartë që akuzohet se ka ndihmuar në tjetërsimin e miliona eurove të taksapaguesve.
Në dëshminë e saj të zbardhur nga dosja, Karçanaj përpiqet të zhvlerësojë takimet në zyrën e Ergys Agasit (i konsideruar si një personazh me influencë të fortë hije në qeveri) duke i quajtur ato “për kafe” dhe “konsulencë private”.
Por edhe nëse për pak minuta të shplan Grida, logjika dështon sapo ballafaqohet me transkriptet e SPAK-ut:
Nuk ka rastësi në tendera miliona eurosh: Prania e operatorëve ekonomikë (si Ermal Beqiri) në zyrën private të Agasit, ndërkohë qe Karçanaj ishte Drejtoreshë e AKSHI-t, rrëzon çdo pretendim për “kafe miqësore”.
Pretendimi se ajo po jepte mendim teknik për një kompani izraelite që donte të merrte Agasi, është një përpjekje për të justifikuar ligjërisht praninë e saj aty, duke tentuar të ndajë rolin e saj zyrtar nga ai privat. Por ligji për konfliktin e interesit dhe statusin e nëpunësit civil e ndalon kategorikisht një zyrtar të prokuronte kontrata shtetërore dhe njëkohësisht të bënte “konsulenca private” në zyra private me biznesmenë të fushës duke pirë verë dhe lëndë eksituese deri vonë.
Intervista e Grida Dumës me Mirlinda Karçanajn nuk ishte një përballje gazetareske, por një platformë mbrojtjeje e mirëorkestruar, për një ‘pastrim’ që la më shumë gjurmë dhe njolla.
Duke shpikur ekzistencën e një videoje që gjoja ka xhiruar rrjetin, ato tentuan të ndërtonin një re tymi mediatike. Nëse audienca fokusohet te pyetja “Kush e nxori videon dhe pse po sulmohet kjo grua?”, atëherë vëmendja largohet nga pyetja reale: “Pse projekti që kushtonte 2 milionë euro u bë 4 milionë euro në kurriz të shqiptarëve?”
Në fund të ditës, kur hiqet kjo mjegull emocionale e ndërtuar me ‘lot’ dhe pyetje të koordinuara, faktet e ngurta të dosjes së SPAK-ut mbeten të paprekura dhe pa papërgjigje. Skenari televiziv mund të manipulojë përkohësisht opinionin publik, por nuk ka asnjë vlerë ligjore përpara gjykatës. Dosja e AKSHI-t është abuzimi më i madh që Mirlinda ‘fakire’ bashkë me Ergys Agasin kanë bërë me fondet e buxhetit të shtetit dhe taksat tona. Ndaj ajo shprehja popullore duhet përshtatur për Mirlindat dhe Gysërat: Të shplaftë Grida, të shplaftë!






