Ekspertët dhe opozita alarm për “asimetri informacioni” dhe mungesë transparence: Procesi mbahet sekret
TIRANË, 2026 – Qeveria shqiptare ka deklaruar objektivin e saj ambicioz për të mbyllur 10 nga 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian brenda këtij viti. Mirëpo, përtej optimizmit zyrtar, procesi duket se ndodhet në një moment paqartësie dhe pritjeje për Raportin e Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (i njohur si mekanizmi IBAR) – një lloj “provimi i ndërmjetëm” nga vendet anëtare të BE-së, vendimmarrje e cila sipas ekzekutivit nuk ka ende një afat kohor të përcaktuar.
Ndërsa Brukseli mat ecurinë, në politikën e brendshme procesi i integrimit po shoqërohet me debate të nxehta. Opozita dhe shoqëria civile akuzojnë mazhorancën për mungesë transparence, trajtim të ngushtë teknik dhe përpjekje për ta përvetësuar këtë proces kombëtar për qëllime propagande.
Debati në Kuvend: “Rezoluta e konsensusit” dhe akuzat për hipokrizi
Kuvendi i Shqipërisë përfshiu në rendin e ditës dhe miratoi me një konsensus prej 114 votash një rezolutë parlamentare mbështetëse për procesin e integrimit. Megjithatë, përpara votimit, salla u përfshi nga replika të ashpra mbi mënyrën se si qeveria po e menaxhon rrugëtimin drejt BE-së.
Shkak për debatin u bë një raport teknik i dorëzuar më herët nga qeveria në Kuvend, i cili pasqyronte gjendjen e negociatave për çdo kapitull, masat e marra dhe hendeqet e konstatuara nga Brukseli.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi raportin si një përpjekje të qeverisë për të shitur stabilitetin politik në vend të demokracisë.
“Në letrat dhe raportet e Edi Ramës gjithçka duket perfekte. Por Europa nuk është propaganda për reformën në drejtësi. Europa është barazia përpara ligjit, të cilën Edi Rama e shkeli me këmbë për Belinda Ballukun,” deklaroi Bardhi, duke akuzuar mazhorancën për “hipokrizi” dhe përdorim të integrimit si propagandë elektorale.
Sipas Bardhit, qeveria po përpiqet t’i thotë Europës: “Mbyllni sytë përpara korrupsionit, kapjes së shtetit, presionit mbi mediat, mungesës së zgjedhjeve reale dhe në këmbim do t’ju japim stabilitet”.
Deputetë të tjerë të opozitës ngritën shqetësimin për mbajtjen sekrete të “pozicionit negociues” të Shqipërisë, duke kërkuar përfshirje reale të tyre dhe jo thjesht rol formal në proces.
Ekspertët: Qeveria mban “sekret” pozicionet negociuese, krijohet asimetri informacioni
Për ekspertët e shoqërisë civile, sekreti që rrethon dokumentet kyçe të negociatave po dëmton rëndë gjithëpërfshirjen.
Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania” (EMA), konfirmon për BIRN se procesi ka vuajtur nga mungesa e transparencës. Sipas tij, çështja e pozicioneve negociuese është jetike:
“Jo vetëm kanë qenë konfidenciale gjatë hartimit, por dhe pas miratimit të tyre vazhdojnë të jenë të tilla, gjë që pengon grupet e interesit apo politikën për të analizuar dhe për të dhënë kontributin që të jenë vërtet pozicione kombëtare të Shqipërisë në proces.”
Në të njëjtën linjë, Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), vë në dukje se kjo qasje krijon një “asimetri informacioni”, pasi ndryshe nga qeveria shqiptare, Komisioni Europian e ka publikuar dokumentin e pozicioneve negociuese me të cilat ka hyrë në bisedime me Shqipërinë.
“Pozicionet negociuese nuk janë dokumente thjesht teknikë. Ato tregojnë angazhimet reale të vendit, reformat që marrin prioritet, fushat ku kërkohen periudha tranzitore, kostot institucionale dhe mënyrën si preken qytetarët, bizneset, institucionet dhe grupet e interesit,” shpjegon Bino, duke shtuar se në kushtet e një metodologjie të re dhe të përshpejtuar, publiku nuk ka asnjë gjurmueshmëri se kush konsultohet dhe cilat komente pranohen apo refuzohen.
IBAR dhe ngërçi i mundshëm: Kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Lidhur me fazën aktuale ku pritet miratimi i IBAR-it, mendimet e ekspertëve ndahen sa i përket përgjegjësisë për transparencë.
Gjipali vlerëson se në këtë pikë transparenca nuk varet nga pala shqiptare, por mbetet në dorën e vendeve anëtare nëse duan të bëjnë publike pengesat që ekzistojnë. Ai shton se qeveria shpesh e trajton procesin vetëm në mënyrë teknike “për të ulur presionin politik dhe për të shmangur përgjegjësitë politike mbi këtë proces”.
Nga ana tjetër, Blerjana Bino beson se qeveria mund dhe duhet të bënte transparencë edhe për mekanizmin IBAR, pasi ai prek ritmin dhe besueshmërinë e të gjithë procesit.
“Nuk themi dot automatikisht termin “ngërç”, sepse kjo kërkon informacion të plotë mbi komunikimin mes qeverisë dhe institucioneve të BE-së, që nuk e kemi, por padyshim ka një moment paqartësie që kërkon shpjegim publik më serioz. Qeveria duhet të shpjegojë ku ndodhet procesi, cilat janë pritshmëritë e BE-së, çfarë është përmbushur, ku ka vonesa dhe cilat janë masat korrigjuese,” deklaron Bino, duke kërkuar edhe një rol më monitorues e më të fortë nga Kuvendi.
Konflikt për “bashkëpronësinë” në vend të gjithëpërfshirjes
Në fund, ekspertët bien dakord se kërkesa e opozitës për një rol më të fortë parlamentar është plotësisht e justifikuar dhe përputhet me kërkesat e vetë BE-së për një dialog konstruktiv. Megjithatë, siç përfundon Gledis Gjipali, situata aktuale tregon se palët politike në Shqipëri “janë fokusuar më shumë tek konflikti në lidhje me ‘bashkëpronësinë e procesit’ se sa tek bërja e një procesi të hapur ndaj gjithë shoqërisë shqiptare”.
publik.al






