AmCham godet tenderat, Ambasada kërkon drejtësi të pavarur
Presioni ndërkombëtar mbi qeverinë shqiptare dhe funksionimin e institucioneve po rritet ndjeshëm, teksa dy reagime të forta nga partnerët strategjikë të vendit – Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Ambasada e SHBA në Tiranë – hedhin dritë mbi shqetësimet për korrupsionin dhe pavarësinë e drejtësisë.
Varka e qeverisë shqiptare duket se po lëkundet në mënyrë të rrezikshme, ndërsa këtë herë goditja vjen nga një prej aleatëve më të rëndësishëm të mjedisit të biznesit. Përmes një deklarate zyrtare me tone të pazakonta, Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ka denoncuar “mykjen” nga korrupsioni të tenderave në sektorin e Teknologjisë së Informacionit, duke paralajmëruar pasoja serioze për ekonominë dhe sigurinë kibernetike të vendit.
Sipas AmCham, proceset e prokurimit publik janë deformuar deri në atë pikë sa po penalizojnë kompanitë më prestigjioze dhe të certifikuara ndërkombëtarisht, përfshirë ato që gëzojnë besimin e vetë qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Dhoma thekson se përfaqëson një numër të madh kompanish të TIK-ut që operojnë me standarde të larta sigurie, por që raportojnë se dyert e tenderave publikë në Shqipëri mbeten të mbyllura për to.
Ky alarm, sipas AmCham, nuk lidhet vetëm me konkurrencën e pandershme dhe shpërdorimin e fondeve publike, por edhe me rrezikun për mbrojtjen e të dhënave sensitive të qytetarëve. Organizata kërkon masa urgjente korrigjuese nga qeveria dhe garantimin e një funksionimi të besueshëm të platformës e-Albania, të cilën e cilëson jetike për biznesin dhe administratën.
Reagimi i fortë i Dhomës Amerikane vjen në një moment kur drejtësia shqiptare ka ndërmarrë goditje të forta në sektorin e teknologjisë, përfshirë arrestimin e drejtoreshës së përgjithshme të AKSHI-t dhe disa biznesmenëve, nën akuzën e krijimit të një organizate kriminale që lidhet me tenderat publikë.
Në të njëjtën linjë presioni, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar edhe për debatin politik mbi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në një përgjigje për mediat, përfaqësia diplomatike amerikane theksoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet element thelbësor për bashkëpunimin me SHBA, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin zyrtar.
Megjithatë, Ambasada shmangu çdo koment konkret mbi procedurat që lidhen me çështjen e Ballukut, duke theksuar se nuk komenton raste specifike në proces. Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres është depozituar në Kuvend që prej 16 dhjetorit 2025, por ende nuk është marrë në shqyrtim, ndërsa kryeministri Edi Rama është shprehur se Parlamenti nuk ka urgjencë për ta trajtuar.
Edhe institucionet europiane kanë reaguar, duke theksuar se trajtimi në kohë i kërkesave për heqjen e imunitetit është përgjegjësi e Kuvendit dhe element kyç në luftën kundër korrupsionit dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qenë mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi dhe institucioneve të reja si SPAK, GJKKO dhe BKH. Por sinjalet e fundit nga partnerët strategjikë tregojnë se pritshmëritë ndaj Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e shtetit ligjor mbeten më të forta se kurrë.






