U bë dhëndër pas përfundimit të vilës
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u paraqit këtë të hënë, pranë ambienteve të SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” lidhur me dosjen “Partizani”.
Në një prononcim për mediat, Berisha hodhi Akuza shumë të rënda ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e akuzuar se ka bërë deklarim të rremë të pasurisë së tij, në formularët e ILDKPI-së, për të kaluar procesin e Vettingut.
“Unë jam këtu për një denoncim tjetër, denoncim të ri, i cili fakton se Altin mashtruesi, Altin Troplini ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon. Ky njeri që kryeson Vetting-un tani, është i padenjë për asnjë funksion, përveçse në bankën e akuzës”, tha ai.
Ndërsa, tregonte deklaratat noteriale para gazetarëve, lideri demokrat tha se Dumani në disa aspekte, “ia kalon edhe Irena Gjokës”.
Berisha: Herën e kaluar ju tregova se si Altin Dumani ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlerë disa herë më të ulët sesa vlerat e tregut. Sot, unë jam këtu për një denoncim tjetër.
Ky njeri, që kryeson vettingun, është i padenjë për çdo funksion, përveçse për bandën e akuzës. Sot do t’ju tregoj për vilën ku banon Altini. Ai thotë se banon me qira. Me dokumente shtetërore është deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Dumanit, në mënyrë që askush të mos e lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Ai u bë dhëndër në atë familje pasi vila kishte përfunduar.
Kur u bë vettingu, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale, duke deklaruar se paratë i kanë marrë nga një misionar. E kuptoni ju, bamirës i madh, si puna e Rrapush Xhaferit. Kanë qenë afro 45 mijë paund. Se si një misionar jepte 45 mijë paund për një familje, kjo është…
Ndërhyrje nga gazetarët: Ka shërbyer si kishë
Berisha: Edhe kjo është një super mashtrim. Këta që përdorin kishat për mashtrim, s’kanë as Krisht, as Allah, as Budë; janë kryehajdutë. Në deklaratën noteriale thuhet: “Dhëndri ynë s’ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj vile.” Dhëndri ynë s’kishte pse të fuste dorën në xhep për vilën. Vila është banuar nga familja Pango që nga viti 2000.
Çfarë thonë dokumentet e shtetit? Dumani e deklaron ndërtesën si të ndërtuar në vitin 2000.






