Naim Noka | Opinion | Publik.al

Pezullimi nga detyra i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila tashmë përballet zyrtarisht me akuzat e SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe procedura të dyshuara korruptive, nuk është thjesht një çështje individuale. Është simptomë. Është pasqyrë. Është fotografia më e pastër e realitetit politik shqiptar: pushteti i Ramës nuk njeh moral, zyrtarët hajdutë nuk njohin dorëheqjen dhe drejtësia shfaqet si kërcënim, jo si mekanizëm pastrimi.

Jo për t’i shpëtuar drejtësisë, por për t’i hapur rrugë një hetimi të pastër, të pavarur, që nuk ndikohet nga autoriteti i karriges. Dorëheqja është akt dinjiteti.
Në Shqipëri, dorëheqja shihet si tradhti, si dobësi, si pranim faji. Ndaj zgjidhet rruga tjetër: sulmi ndaj drejtësisë, politizimi i procesit dhe ngritja e alibive institucionale.

Në vend që të distancohej, të kërkonte qartësi dhe transparencë, kryeministri Edi Rama doli sot me video, duke e çuar çështjen në një dimension krejt tjetër. Me tone ironike e nënçmuese ndaj drejtësisë, ai deklaroi publikisht se “nuk do ta lë një mi të më prishë balancën duke më pezulluar Ballukun”.
Një fjali që mund të kalonte si metaforë politike, po të mos përplasej direkt me një realitet të thjeshtë:

Kryeministri po i bën presion të hapur Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri po tenton të delegjitimojë vendimin e SPAK me gjuhë publike.
Kryeministri po vendos politikën mbi drejtësinë dhe nuk e fsheh më.

Parimi elementar i shtetit ligjor thotë se kur një zyrtar i lartë vihet nën hetim, institucioni duhet të funksionojë pa të. Rama, përkundrazi, e përdor pezullimin si argument për t’i treguar publikut se ministria “bllokohet”.

Qeveria është aq e centralizuar dhe e personalizuar sa gjithçka varet nga një njeri, dhe ky është justifikimi më i dobët i Ramës.

Një shtet nuk bllokohet nga hetimi i ministrit bllokohet nga kultura e mosdorëheqjes

Në një administratë të shëndetshme, ministri është pjesë, jo thelb i institucionit. Ka sekretarë të përgjithshëm, zv.ministra, struktura teknike, hallka përgjegjësie. Por kur Rama na thotë se pezullimi i Ballukut rrezikon ministrinë, ai në fakt pranon diçka shumë më serioze:
Ministria është personalizuar.
Institucionet varen nga individi, jo nga ligji.
Administrata është kapur nga pushteti politik.

Kjo nuk është çështje e SPAK-ut. As çështje e një vendimi të GJKKO-së. Kjo është çështje morali qeverisës.

Në Perëndim ku mëton të na integrojë kryeministri edhe mikesha Mogherini dha dorëheqjen. Në Europë një ministër jep dorëheqjen për një faturë hoteli, një makinë të përdorur privatisht apo një deklaratë të pasaktë.
Në Shqipëri, edhe e pandehur në Gjykate , posti mbahet me thonj, me avokatë, me statusa në FB dhe me nderhyrje politike në çdo derë të drejtësisë.

Rreziku nuk është pezullimi i Ballukut rreziku është normalizimi i amoralitetit

Sot nuk pyetet kush ka të drejtë juridikisht, por deri kur zyrtarët do të kapen pas karriges edhe kur hija e akuzave i ndjek deri në zyrë?
Deri kur moralit politik do t’i jepet status opsional?
Deri kur SPAK-u do të shikohet si pengesë dhe jo si shans pastrimi?

Përgjigjja e këtyre pyetjeve tregon nivelin e vërtetë të moralit qeverisës, i cili është në pikën më të ulët që prej regjimit dikatorial të Enver Hoxhës.
Kemi ligje europiane në letër, por kemi logjikë dhe verprime orientale prej pashai në praktikë.
Kemi reforma që duken bukur në raporte, por kemi kulturë pushteti që funksionon si fe e brendshme: udhëheqësi ka të drejtë edhe kur gabon.

Derisa të ndryshojë morali shteti do të vazhdojë të rrotullohet rreth individëve

Vetëm ditën që dorëheqja të pranohet si akt dinjiteti, jo dobësie;
vetëm ditën kur drejtësia të mos trembet nga video-mesazhet e kryeministrit;
vetëm ditën kur institucionet të kenë më shumë peshë se individët që i drejtojnë atë ditë do flasim për shtet.

Deri atëherë, Shqipëria do të notojë mes skandaleve, do të degradojë në debat procedural, do të mbysë thelbin me paragrafe juridike dhe do të harrojë pyetjen më të rëndësishme:

Si kemi arritur në pikën më fundore si shoqëri ku morali është i pezulluar pa afat dhe ministrat-et hajdutë me çizme i bëjnë ‘moral’ moralit?!

Jetojmë në Shqipëri, gjithçka ndodh dhe mund të ndodhë! Edhe opozita e Berishës vuan nga i njëjti ‘tumor’! Bir Selmani i nënës, kë të qaj më parë, njëri është i rrjedhur, tjetri është i marrë……