Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren birtanike, Theresa May tha se ende nuk ka dakordësim rreth çështjeve kyçe për daljen e Britanisë së Madhe nga BE dhe se negociatat dhe konsultimet rreth kësaj çështje, do të vazhdojnë gjatë kësaj jave.
“Përkundër përparimeve dhe përafrimeve të qëndrimeve, ende nuk ka marrëveshje për çështjet kyçe rreth daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian,” tha Juncker duke shtuar se negociatat dhe konsultimet do të vazhdojnë gjatë javës. Juncker me këtë rast u shprehë se Theresa May nuk është negociator i lehtë dhe se gjatë takimit ka mbrojtur interesat e Britanisë së Madhe.
“Pse nuk u arritë sot marrëveshja, nuk do të thotë se është mossukses. Përveç përpjekjeve të mëdha dhe përparimit të rëndësishëm që ne arritëm me ekipet tona gjatë ditëve të kaluara, për tri çështjet kyçe, nuk ishte e mundur që të arrijmë sot dakordësimin e plotë,” tha Juncker.
Presidenti i KE theksoi se tani ekziston mirëkuptimi i përbashkët për shumicën e temave dhe se kanë mbetur edhe dy-tri çështje të hapura për të cilat duhet zhvilluar konsultime dhe negociata.
Jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat me Britaninë e Madhe, gjatë kësaj fundjave në Bruksel. Ne kemi përafruar mjaft qëndrimet tona duke ju falemnderuar kryeministres britanike dhe dëshirës së Komisionit Evropian që të arrij marrëveshje të ndershme me Britaninë e Madhe,” tha Juncker duke shprehur besimin se është e mundur të arrihet përparim i dukshëm para Këshillit Evropian i cili do të zhvillohet më 15 Dhjetor.
E drejta e qytetarëve të BE që ngelen të jetojnë në Britaninë e Madhe pas Brexitit, paratë që duhet të paguaj Londra me rastin e daljes nga BE dhe rregulllimi i kufirit në mes të Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut janë tri çështje që në Komisionin Evropian shpresojnë se do të gjendet një zgjidhje që nuk do të quhet dështim. Derisa për dy çështjet e para qëndrimet janë përafruar, puna më e madhe ka ngelur rreth rregullimit të kufirit, meqë statusi i kufirit me Irlandën është pika më kontestuese, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me kufirin e vetëm tokësor të Britanisë së Madhe. Qeveria e Irlandës kërkon garanci se nuk do të ketë punkte doganore në kufi me Irlandën e Veriut dhe që lëvizja e mallërave do të zhvillohet pa pengesa edhe pas Brexitit. Nga ana tjetër, unionistët e Irlandës së Veriut, të cilët garantojnë shumicën qeverisëse për Theresa May, kërcënojnë se do të tërheqin mbështetjen e tyre nëse nuk marrin status special pas Brexitit.






