Pse aktori i madh Robert Ndrenikaj i tha burgut “hapu” për Lalin që i shembi Teatrin?

Naim Noka

“Nëse ndodh që godina e teatrit shembet, unë nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje!” – Kjo ishte deklarata e fortë e aktorit Robert Ndrenikaj në vitin 2016, një qëndrim i prerë kundër vendimit të Bashkisë Tiranë dhe kryebashkiakut Erion Veliaj për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Megjithatë, kjo rezistencë u zbeh çuditshëm brenda dy viteve. Në vitin 2018, Ndrenikaj “u dorëzua” para vizionit të Veliajt, duke përshëndetur shembjen me besimin se Teatri i ri do të ngrihej brenda 3 viteve, me standarde moderne dhe pa kulla përreth.

Sot, gjashtë vite më pas, aty ku dikur qëndronte Teatri Kombëtar, nuk ka as godinë të re e as dritat e skenës. Premtimi i Veliajt u tret vërtet në “varrin” e harrimit, por kjo duket se nuk e shqetëson më maestron Ndrenikaj.
Ndonëse Lali Eri i prishi shtëpinë e dytë dhe nuk mbajti fjalën për rindërtimin, aktori zgjodhi pikërisht ditën e sotme për të dhuruar një “shfaqje” tjetër, kësaj radhe në ambientet e Gjykatës Administrative. Në seancën lidhur me padinë e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado, Ndrenikaj u shfaq i mbytur në lot dhe i prekur tej mase për fatin e kryebashkiakut.

Në moshën 84-vjeçare, figura e respektuar e skenës shqiptare i tha “burgut hapu”, duke u shprehur i gatshëm të kryente ai vitet e dënimit që mund t’i mbeteshin Erion Veliajt.
Pyetja që lind natyrshëm është: Përse një ikonë e artit, e dashur nga një popull i tërë, zgjedh të bëhet pjesë e një skenari të tillë politik?
Si ka mundësi që nga betimi se nuk do të gjente qetësi as në varr nëse prekej Teatri, Ndrenikaj kaloi në puthje balli dhe lot për njeriun që i shkatërroi punën dhe djersën e një jete?

Është e drejta e kujtdo të mbajë anë, por kur emocionet përdoren për të mbrojtur pushtetin përballë drejtësisë, mesazhi pushon së qeni njerëzor dhe kthehet i gjithi në politikë.

Erion Veliaj sot përballet me akuzat për korrupsion dhe është i njëjti person që i la aktorët pa teatër. Paradoksi që nuk i japim dot një përgjigje eshtë : Pse aktori i madh Ndrenika qan për atë që i shembi ëndrrën?