Nga Vjena, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje investitorëve që të blejnë prona në Shqipëri, duke theksuar se çmimet e tregut do të vijojnë të rriten.

Në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri”, të zhvilluar në kryeqytetin austriak, Rama iu përgjigj një pyetjeje mbi rolin e qeverisë për zgjatjen e sezonit turistik përtej 180 ditëve.

Një prej investitorëve të pranishëm ngriti shqetësimin:

“Përshëndetje, ne jemi investues në prona, si për shembull në hoteleri, për turizëm, dhe kemi filluar të blejmë prona në Shqipëri përpara disa vitesh.

Ju sezonin e keni rreth 180 ditë, së bashku me qeverinë ne duhet të krijojmë ide të reja se çfarë mund të bëjmë edhe për 180 ditë të tjera.

Sepse nga ky sezon vetëm me 180 ditë, ne nuk arrijmë dot të marrim nga investimi atë që investojmë. Për shembull, me ide të ndryshme si mund ta arrijmë këtë gjë? Kërkesa ime është që a mund të bëjmë diçka për zgjerimin e sezonit?”

Rama u përgjigj se sezoni tashmë është zgjeruar, por sfidë mbetet shtrirja e tij përgjatë gjithë vitit:

“Në fakt sezoni po zgjatet tashmë. Këtë vit ka qenë shumë e qartë, që numrat janë shtuar tashmë, sigurisht në terma relative duke i krahasuar me vitin e kaluar, por do të thosha që pyetja që ju bëtë ose sfida është e vërtetë.

Na duhet që të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Vetë investuesit mund të bëjnë më shumë në këtë fushë. Në veçanti investuesit nga Austria, Gjermania, Spanja, ose më mirë do të thosha vendet nga Europa veriore.”

Në vijim, shkruan Monitor, Rama nënvizoi se investitorët mund të ndihmojnë qeverinë dhe pushtetin vendor për të tërhequr turistë gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe pensionistët nga vendet e Europës Veriore.

“Kjo do të ndodhë edhe për arsye sepse sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtet përpara dhe ka hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende”, tha ai, duke shtuar më tej:

“Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë investim vërtet shumë i mirë në Shqipëri.

Sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Çmimet rriten pothuajse dyfish. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish. Ejani në Shqipëri dhe blini prona.”