Kostoja e jetesës në Shqipëri vijon të rritet, duke goditur më fort familjet me fëmijë, ndërsa individët që jetojnë vetëm përballen me presion të vazhdueshëm nga inflacioni, megjithëse kanë një nivel më të ulët shpenzimesh mujore.

Sipas një analize të Monitor, e mbështetur në të dhënat zyrtare të INSTAT, gjatë periudhës 2021–2023, familjet me strukturë më të madhe dhe me fëmijë kanë përjetuar rritje të ndjeshme të shpenzimeve. Ndërkohë, individët që jetojnë vetëm mbeten grupi me shpenzimet më të ulëta në raport me të tjerët.

Në vitin 2021, një person i vetëm kishte një shpenzim mujor mesatar prej 46.815 lekësh. Në të njëjtin vit, një familje me tre ose më shumë të rritur dhe fëmijë shpenzonte mesatarisht 98.795 lekë. Familjet me dy të rritur dhe fëmijë kishin një nivel shpenzimesh prej 87.439 lekësh, ndërsa dy të rritur pa fëmijë shpenzonin 63.557 lekë. Sipas Monitor, mesatarja e përgjithshme për të gjitha kategoritë e familjeve ishte 84.548 lekë në muaj.

Tendenca e rritjes së shpenzimeve vazhdoi edhe në vitin 2022. Ndërsa individët që jetonin vetëm nuk patën ndryshime të mëdha (46.660 lekë), rritje të ndjeshme u regjistruan për familjet me fëmijë. Të dhënat e Monitor tregojnë se familjet me dy të rritur dhe fëmijë shpenzonin 92.889 lekë, ndërsa ato me tre ose më shumë të rritur dhe fëmijë arrinin në 104.177 lekë. Mesatarja kombëtare për të gjitha llojet e familjeve në këtë vit u ngjit në 88.367 lekë.

Në vitin 2023, ndikimi i inflacionit u bë më i dukshëm edhe për individët që jetojnë vetëm, me shpenzimet mujore të tyre që u rritën në 55.940 lekë. Ndërkohë, familjet më të mëdha vazhduan të kenë barrë më të lartë: sipas Monitor, një familje me tri ose më shumë të rritur dhe fëmijë shpenzonte mesatarisht 109.671 lekë në muaj. Mesatarja për të gjitha tipologjitë e familjeve arriti në 91.675 lekë.

Monitor nënvizon se ndryshimet në shpenzimet e familjeve shqiptare gjatë viteve 2021–2023 kanë qenë të ndikuara nga një sërë faktorësh: pasojat e pandemisë COVID-19, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, si dhe zhvillimet në tregun e punës. Struktura familjare rezulton të jetë një faktor përcaktues për nivelin e shpenzimeve – familjet me fëmijë përballen me kosto më të larta për ushqim, arsim, transport dhe shërbime të tjera bazë. Nga ana tjetër, edhe pse individët e vetëm shpenzojnë më pak, rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre, përfundon Monitor.