Publik.al | Aktualitet

Lëvizje të pazakonta janë vënë re këtë të mërkurë pranë godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Një furgon i bardhë mallrash është pozicionuar pranë hyrjes kryesore, ndërsa disa persona janë filmuar duke ngarkuar në të dhjetëra dosje dhe dokumente.

Pamjet janë bërë publike nga përfaqësues të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të cilët ndodheshin para godinës. Në video shihen punonjës që mbajnë në duar dosje voluminoze dhe i vendosin ato në mjet, i cili më pas largohet nga ambientet e institucionit.

Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Kryeministria mbi arsyen e transportimit të dokumenteve dhe destinacionin e tyre. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një procedurë rutine arkivimi apo për një transferim të jashtëzakonshëm.

Ngjarja ndodh në një klimë të tensionuar politike, teksa përplasjet mes Kryeministrit Edi Rama dhe strukturave të drejtësisë janë intensifikuar. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zhvilluar veprime hetimore që prekin nivele të larta të administratës, ndërsa vendimet e fundit të GJKKO për çështje që lidhen me zyrtarë të qeverisë kanë shtuar spekulimet për zhvillime të tjera të mundshme.

Megjithatë, burime institucionale theksojnë se nga çdo institucion qendror dalin dhe transferohen dokumente në mënyrë periodike për qëllime arkivimi apo administrimi, çka mund të jetë edhe rasti konkret. Deri në një sqarim zyrtar, çdo interpretim mbetet në nivel dyshimi.